Vuçiq, takime të jashtëzakonshme me ambasadorët pas rritjes së taksës doganore nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të mbajë takime të jashtëzakonshme me ambasador ëtë Rusisë, Kinës, shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të Quint-it pas vendimit të qeverisë së Kosovës që ta rrisë në 100 % taksën doganore ndaj mallrave serbe, raporton Tanjug.

Më vonë ai pritet ta mbledhë edhe Këshillin për Siguri Kombëtare.

Më herët, qeveria e Kosovës vendosi ta rrisë në 100 % taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Këtë vendim e ka marrë qeveria në mbledhjen e sotme.

Qeveria e Kosovës ka ndryshuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila me 6 nëntor vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

“Nga sot t’i vendoset masa 100% për produktet me origjinë nga Serbia”, tha Endrit Shala, ministër i MTI-së.

“Si dhe të largojnë nga tregu e mos të lejojnë hyrjen në treg me etiketën ‘Kosova dhe Metohija’”, tha Shala.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj pas aprovimit të vendimit në qeveri.