Vuçiqit i pengon prezenca e të mbijetuarave të luftës në KS të OKB-së, Osmani i kundërpërgjigjet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kritikuar delegacionin e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke thënë se ato nuk e kanë vendin aty.

Delegacioni i Kosovës, përveç presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përbëhet nga të mbijetuarat e luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Goodman, Elhame Muqolli, Fahrije Hoti dhe Shyhrete Tahiri Sulimani.

“Nuk e mora fjalën për replikë, por për diçka që ka ndodhur për herë të parë këtu. Keni sjellë persona që nuk e kanë vendin këtu, në thelbin diplomatik apo në ekipin e këshilltarëve të zonjës Osmani. Është pak a shumë një teatër politik dhe një kurth për delegacionin serb. Dhe çka po dëgjonim, isha shumë i foksuar nga një raport i Ziadeh dhe çka kemi dëgjuar deri tani ishte si një proces gjykimi i luftës për diçka që ka ndodhur 5 vite më parë, asnjë fjalë për raportin, asgjë për gjashtë muajt e fundit. Pse nuk na keni informuar se kush do të ishte pjesë e secilit delegacion? A besoni me të vërtetë se nuk ka pasur të përdhunuara gra serbe në Kosovë në atë periudhë?”- ka deklaruar Vuçiq.

Kryesuesja e seancës para se të ja kalonte Osmanit fjalën, tha se ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara.

“Në lidhje me delegacionin e Kosovës, nuk kemi të bëjmë asgjë me të. Ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara, sikur që nuk i tregojmë emrat e delegacionit tënd që është akredituar këtu”- tha kryesuesja.

Ndërkaq në kundërpërgjigjen e saj, presidentja Osmani tha se katër gratë që janë ulur pas saj, përveç se janë avokuese të drejtësisë, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

“Dua të informoj anëtarët e këtij këshilli që përveç që janë avokuese të drejtësisë, katër gratë që po ulen pas meje janë gjithashtu pjesëtarë të kabinetit tim. Pra ato janë këtu si pjesë e ekipit të këshilltarëve, sepse ato punojnë kauza që janë shumë të rëndësishme për zemrën time siç është mbështetja për gratë që janë të mbijetuara të dhunës seksuale, por edhe mbështetëse të familjeve që kanë vuajtur nga lufta”- ka deklaruar Osmani.

Presidentja gjatë fjalimit të saj ka përmendur masakrën e Poklekut, nga e cila ka mbijetuar Elhame Muqolli.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe Vasfije Goodman dhe Shyhrete Tahiri Sulimani, të cilat janë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesë e fjalimit të Osmanit ishte edhe Fahrie Hoti nga Krusha, ku u vranë një numër i madh i burrave disa prej të cilëve mbesin të zhdukur, duke përfshirën edhe bashkëshortin e Fahrijes. Hoti gjithashtu është është themeluese e ndërmarrjes “Krusha”.

Presidentja, Vjosa Osmani, po përfaqëson Kosovën sot më 22.04.2024 në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Seanca nisi në ora 16:00, sipas kohës lokale në Kosovë.

Më 17.04.2024, në përvjetorin e masakrës së Poklekut, KALLXO.com publikoi rrëfimin e Fadil Muqollit, të mbijetuarit nga kjo masakër. 25 vjet më parë, forcat serbe vranë 54 qytetarë,  25 prej të vrarëve ishin nën moshën 18-vjeçare. Prej këtyre, 18 persona kanë qenë fëmijë, më të vegjël se 12 vjeç. Në mesin e tyre pesë foshnje prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Lirie Muqolli ishte vetëm gjashtë muajshe.

Osmani për masakrën e Poklekut: Asnjë politikan serb nuk u gjunjëzua kurrë para varrit të fëmijëve të vrarë