Visar Ymeri Krahason Deklaratat e Thaçit me Jabllanoviqin

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i ka krahasuar Zëvendës Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me ato që një vit më parë i kishte thënë ish-ministri për Kthime dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.

Ai ka thënë se Thaçi ka përdorur fjalor të ngjashëm me Jabllanovicin kur, sipas tij, u ka vënë bisht shqiptarëve dhe “i ka shndërruar në egërsira”.

“Hashim Thaçi dje e përdori të njëjtin term që e ka përdorur vija shoviniste e Serbisë ndaj shqiptarëve se tha shqiptarët kanë bisht dhe kështu i shndërroi shqiptarët në egërsira, siç i pati quajtur një vit më herët Jabllanoviqi në një deklaratë që rezultoi me largimin e tij nga Qeveria”, tha Ymeri.

Pas protestës së djeshme të opozitës në Prishtinë, numri dy i qeverisë Hashim Thaçi deklaroi se protestuesit “u larguan me bisht nën shalë” duke mos pasur guxim t’ia mësyjnë ndërtesës së qeverisë.

Ymeri ka gjykuar ashpër fjalorin e përdorur nga liderët e Qeverisë në konferencën pas protestës së 17 shkurtit dhe ka paralajmëruar se nuk do të lejohet normalitet në këtë institucion.

“Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë normalitet institucional e as vendime nga kjo qeveri antikushtetuese”, tha Ymeri.

I pari i Vetëvendosjes ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve të Vetëvendosjes të arrestuar nga Policia e Kosovës ndërsa burgosjen e tyre ka quajtur politike.