Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti takon opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut, anëtari i saj thotë se LVV është pjesë e koalicionit të tyre

Kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca kanë pritur sot në takim krerë të partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut.

Në këtë takim ishin Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe kryetar i Komunës së Gostivarit dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN): Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA e kryetar i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, si dhe Afrim Gashi, kryetar i Alternativës dhe deputet.

Mexhiti në një deklarim për Radiotelevizionin e Kosovës tha se edhe Vetëvendosje është pjesë e koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim, që do të marrë pjesë në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

“Kësaj radhe kemi një opozitë të konsoliduar e cila ofron një konkurrencë me programe, ide kundrejt partive që janë pjesë e qeverisë, partive shqiptare. Kjo është Lidhja Evropiane për Ndryshim ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Alternativa dhe Vetëvendosja. Sa i përket Vetëvendosjes nuk është e regjistruar si subjekt në Maqedoni dhe de jure nuk funksionon, por ne do të kemi listë të përbashkët të deputetëve në kuadër të Lidhjes Evropiane, ku do marrim pjesë nga partitë e ndryshme” – tha ai.

Mexhiti, i cili e quajti këtë takim “vëllazëror për bashkërendim të aktiviteteve”, shtoi se po punojnë për programin bashkë me ekspertë nga LVV, siç janë Arbër Zaimi, Elvis Hoxha dhe Bekim Qoku, i cili është këshilltar i Kurtit për Maqedoni.

Komunikata e Zyrës së Kryeministrit për këtë takim nuk ka përmendur asgjë lidhur me pjesëmarrjen e LVV-së në këtë koalicion, por ka shkruar se në këtë takim ka marrë pjesë edhe Bekim Qoku.

Sipas kësaj komunikate, ata folën për situatën në Ballkan, fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje” – thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni të Veriut, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësimi e mbarëvajtja e raporteve mes komuniteteve etnike atje ishin po ashtu tema të diskutuara në këtë takim.

Në fund të njoftimit thuhet se katër udhëheqësit nga Maqedonia e Veriut kanë shprehur propozimin e tyre për një president të këtij shteti, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut

Sipas tyre, kësaj radhe ky president duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve.

Më 8 maj qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë për të zgjedhur qeverinë e tyre, pas dorëheqjes së kryeministrit Dimitar Kovaçevski më 25 janar.

Deri atëherë, ky vend do të udhëhiqet nga Qeveria teknike e drejtuar nga Talat Xhaferi.