Vidhen të Dhënat e Pacientëve në Urgjencën e Suharekës

Në këtë libër personeli mjekësor shënon të dhënat personale, diagnozën e mjekut dhe pagesat që bëjnë pacientët e trajtuar.

Libri i protokollit sipas drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Suharekës Frashër Behluli është zhdukur më 13 janar dhe ende nuk është gjetur vjedhësi ose vjedhësit e tij.

“Pas datës 13 janar kemi pritur edhe dy ditë që mos po lajmërohet dikush, qoftë nga punëtorët apo pacientët që është marrë, se ende nuk e dimë nga kush është marrë,” tha Behluli për KALLXO.com.

Behluli tregoi se të gjithë punëtorët që ishin në punë ditën kur humbi libri, janë intervistuar.

“Pas datës 13 janar e kemi njoftuar menjëherë policinë dhe të gjithë punëtoret kanë dhënë deklaratë që kanë qenë në ndërrim te sektretari i QKMF-së dhe nuk kemi ende kurrëfarë informacioni dhe ende jemi duke pritur nga kush është marrë, nga punëtorët apo nga pacientët që kanë qenë ato ditë për vizitë në QKMF,” shpjegoi Behluli.

Ai bëri të ditur se shënimet për pagesat që kanë bërë pacientët nuk kanë humbur, ngase ato ruhen në dy vende të ndryshme.

“Pagesat shënohen kryesisht në bllok, por blloku nuk ka humbur, por vetëm shënimet e protokollit,” tha Behluli.

Policia është e informuar për rastin dhe e ka paraqitur si vjedhje, por ende nuk ka të dyshimtë për këtë rast.