VIDEO: Policia sekuestron mina me telekomandë në Lezhë

Një tiranas, E.V., 29-vjeç, është arrestuar, pasi në aksin rrugor Milot – Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.

Sipas Policisë së Shtetit, ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT.

Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje.

Arrestimi i të dyshuarit u bë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.

Në vijim të planit të masave për rritjen e sigurisë mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, nga strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në mbështetje edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, janë ushtruar kontrolle blic në pika kontrolli të dislokuara në rrugë, në lokale, pika basti, banesa të pabanuara dhe në çdo vend ku dyshohej se mund të ushtrohej veprimtari kriminale apo të fshiheshin persona në kërkim.

Gjatë këtyre kontrolleve në Kurbin u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim G alias G. E, 32 vjeç, banues në Fushë-Mamurras në Kurbin.

Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin me vendimin e datës 24 nëntor 2015, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

G.E. ka qenë i përfshirë në ngjarjen e datës 23 shtator 2015, në Mamurras Kurbin, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes disa personave ka mbetur i vrarë shtetasi N.T.

Po në Kurbin u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard alias G.T, 35 vjeç, banues në Malbardhë. Në Laç, gjatë kontrollit, atij iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 8 fishekë.

Arrestimi i G.T. u bë për veprën penale” Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

I arrestuar në flagrancë gjatë këtyre kontrolleve është edhe shtetasi E.Gj, 20 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit tek një lokal në Lezhë, iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një shkop hekuri policor. Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” si dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë 12 orëve të fundit në kuadër të operacionit “Telekomanda” nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër janë shoqëruar për verifikim 15 shtetas me precedentë penalë kryesisht të dyshuar për “Vjedhje” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.