VIDEO: Goditet një rast i trafikimit të minave me telekomandë

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë armë zjarri e lëndë plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të Policisë në Elbasan, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit  P. K., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet policore, këtij shtetasi në ambientet e një lokali në fshatin Mengel, Njësia Administrative Labinot-Fushë, iu gjetën 4 copë mina me shpërthim në distancë, të pajisura me aparat telefoni celular me bateri, fije përcjellëse dhe magnet të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia njofton se vijon operacioni për identifikimin e shtetasit /shtetasve të cilëve ky shtetas do t’ua shiste minat me telekomandë.

Materialet në ngarkim të shtetasit P.K.,i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale të “Prodhimi dhe mbatja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.