Ilustrim

Policia në Vlorë sekuestron dy mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë

Dy persona, xhaxhai e nipi, janë vënë në prangat e Policisë së Shtetit në Shqipëri nën dyshimin se kanë fshehur dy mina në një automjet me të cilin po lëviznin.

Sipas një njoftimi, shërbimet e Policisë, në hyrje të qytetit të Vlorës kanë ndaluar automjetin me të cilin lëviznin dy të dyshuarit dhe gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë.

Minat është thënë se ishin të programuara për shpërthim në distance dhe se ishin të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore.

Policia e Shtetit tha se këto dy mina dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Ky operacion i Policisë është koduar “Knock Out 2” që si rezultat solli arrestimin në flagrance të F.Gj., 33-vjeçar, banues në Burrel dhe E.Gj., 19-vjeçar, banues në Laç.

Policia ka thënë se po vijojnë veprimet e thelluara hetimore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e këtyre dy shtetasve, si dhe për kapjen e dy subjekteve të tjera të dyshuara të përfshira në këtë rast.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme” – u tha në njoftim.

Policia shtoi se dy ditë më parë, Policia e Vlorës parandaloi një tjetër ngjarje të rëndë kriminale dhe vuri në pranga një shtetas që lëvizte me pistoletë me silenciator, me doreza dhe me kapuç, në çantë.