Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Foto: Kuvendi i Kosovës

Veseli në Prizren: Shteti serb do të përgjigjet për zhdukjen e Ukshin Hotit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 20 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të shquar Ukshin Hoti, ka thënë sot në Prizren se Hoti ishte ideolog dhe vizionar i madh për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Kryeparlamentari shtoi se Serbia do të përgjigjet para drejtësisë për zhdukjen e Ukshin Hotit dhe gjenocidin që e ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

“Andin, baba yt është baba i kombit tonë këtu në Kosovë. E vërteta për Ukshin Hotin dikush thotë se nuk dihet. Ajo dihet çdo ditë. Ai ishte veprimtar, intelektual dhe ideolog. Kur ka folur ai se Kosova duhet të ketë ushtri, shtet, pak kush ka guxuar të flas. Unë besoj shumë se kombi ynë ka perspektivë dhe do të jetë i fortë çdo ditë”, citohet të ketë thënë Veseli, njofton Kuvendi i Kosovës.

Veseli shtoi se është i përjetshëm kujtimi për veprimtarin Hoti.

“Ne sot do të kemi seancë të veçantë në Kuvendin e Kosovës për të kërkuar drejtësi, për të gjithë ata mijëra qytetarë të vrarë, fëmijë, gra e pleq të cilët janë vrarë e masakruar nga shteti serb. Shteti serb ka kryer gjenocid. Kjo duhet të thuhet edhe më me zë dhe shteti serb do të përgjigjet ashtu siç e meriton”, theksoi ai.

Ndër të tjerash kryetari i Kuvendit, Veseli shtoi se  brezat e rinj të shtetit të Kosovës nuk duhet ta harrojnë sakrificën e gjeneratave të mëparshme.

Në Kosovë këtë të enjte po përkujtohet 20 vjetori i zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës sot pritet të vazhdojë seancën për shqyrtimin e disa pikave, si propozim-Rezoluta për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë si dhe për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.