Veseli: Është koha që të ndërtojmë autostrada digjitale

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë konferencës që u mbajt në Prishtinë ‘’Digitalks’’, ka thënë se në Kosovë pas përfundimit të autostradave infrastrukturore, ka  ardhur koha që  të krijohen autostrada digjitale. Sipas tij, Kosova e ka potencialin për të qenë më të mirët në rajon , në këtë drejtim.

‘’Sot jam këtu për t’u dhënë gjithë përkrahjen time. Do të rriten edhe më shumë fondet e Ministrisë që shkojnë në përkrahje të ideve dhe projekteve inovative. Sot vendi ynë ka nevojë që jo vetëm njerëzit, por edhe idetë e tyre ekonomike të qëndrojnë këtu dhe të bëhen faktorë në zhvillimin ekonomik. Tani që kemi përfunduar autostradat infrastrukturore, është koha që të lëvizim në drejtim të krijimit të autostradës digjitale të Kosovës. Si në rastin e parë, edhe në të dytin, ne kemi gjithë potencialin të jemi më të mirët në rajon”, deklaroi ai.

Gjithashtu Veseli tha se qëllimi i krijimit të Ministrisë së Inovacionit, ka qenë për të përkrahur ndërmarrësit e rinj, për t’i aftësuar dhe për t’i përgatitur ata për trendet e reja të zhvillimit ekonomik.

‘’Ne kemi popullatën më të re në Evropë, por ky fakt vetvetiu nuk nënkupton zhvillim. Duhet ta aftësojmë, ta përgatisim këtë popullatë të re, për të qenë pjesë aktive e trendeve bashkëkohore të zhvillimit ekonomik. Ky ka qenë qëllimi pse kemi vendosur të krijojmë Ministrinë e Inovacionit, në mënyrë që të gjitha idetë dhe projektet inovative të të rinjve të Kosovës, të mbështeten praktikisht’’, tha Veseli.

Konferenca ‘’Digitalks’’ ka filluar mbrëmë në Prishtinë dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme. Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe Komisionerja e Bashkimit Evropian për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel.