Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit - 23.11.2018

Veseli: BE po tregohet e njëanshme me Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Bashkimi Evropian po tregohet shumë i njëanshëm, pasi po insiston në heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë”

Veseli tha se Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj Serbisë derisa BE-ja ta trajtojë si të barabartë.

“Në planin ndërkombëtar, Serbia ka vazhduar po ashtu me agresivitet të shtuar që të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtare. Rasti më i fundit ishte Interpoli, kjo solli taksën 100 për qind për produktet serbe dhe kjo masë ishte për të treguar se bllokimi sjell bllokim të dyanshëm. Nga 14 dhjetori, Ballkani është më i sigurtë dhe më afër përmbushjes së aspiratës euro-atlantike. Votimi i Delegacionit për Dialogun – afirmon qartë përkushtimin e Kosovës për mirëkuptim dhe marrëveshje. Kemi pritur vlerësim pozitiv nga BE për këtë, së paku për korrektësi.”, tha Veseli.

Ai tha se Serbia, gjithë kohën ka bërë obstruksione në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog.

“Bllokimi i lëvizjes përpara në agjendën e Bashkimit Evropian përbën shqetësim serioz. Janë shkelur marrëveshjet për lëvizjen e qytetarëve, për energjinë, dokumentacionin kadastral, në dhjetëra raste qytetarët e Kosovës janë ndaluar e keqtrajtuar gjatë kalimit nëpër Serbi dhe mallrat e Kosovës asnjëherë nuk kanë mundur të lëvizin lirshëm në Serbi, ndërsa mallrat e Serbisë kanë hyrë në Kosovë pa i respektuar ligjet e shtetit tonë”, tha Kryeparlamentari.

“Kemi pritur reflektim balancues të BE-së për këtë situatë që ulë tensionet mes dy vendeve, nuk kemi pritur qe te reagojë vetëm ndaj nesh dhe kjo te qytetarët e Kosovës ka krijuar përshtypjen e njëanshmërinë e Bashkimit Evropian”, shtoi Veseli.

Kryeparlamentari kërkoi nga BE që ta trajtojë seriozisht çështjen e bllokadave nga ana e Serbisë, pasi që sipas tij, taksa nuk është problemi i vetëm.

“Bashkimi Evropian nuk mund ta shoh Kosovës nga perspektiva integruese e Serbisë. Rruga e Kosova për në Bruksel nuk ka kaluar dhe as nuk do te kalojë kurrë përmes Beogradit. Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarësuar dhe duhet ta kuptojë, dhe nëse nuk e kupton do ta bëjmë ta ndjej çdo ditë e më shumë. Presim nga BE që të kemi përfitime të barabarta qe ta trajtojë seriozisht çështjen e bllokadave. Kosova nuk do të veprojë njëanshëm në heqjen e taksës, taksa nuk është problemi i vetëm dhe më i madhi”, tha Veseli.