Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

UP: Kriteri i gjuhës së huaj është përcaktuar nga Qeveria e Kosovës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka dërguar sqarim publik pas protestës së sotme të disa studentëve, te ndërtesa e Rektoratit të UP-së.

Në sqarim thuhet se vendimi i Senatit të Universitetit të Prishtinës ka ardhur si rrjedhojë e obligimeve që dalin nga Udhëzimi Administrativ (Qrk), Nr.03/2018 për gjuhët e huaja në programin e studimit të ciklit të dytë apo të tretë.

“Implementimi i këtij vendimi do të bëhet sipas UA në fjalë, duke përjashtuar çdo mundësi të konfliktit të interesit, përfitimit personal ose çdo devijimi tjetër nga korniza ligjore.”, thuhet në sqarim.

Tutje UP ka shtuar se si institucion i arsimit të lartë implementojnë dokumentet e nxjerra nga organet qeveritare, të cilat sipas tyre, i shërbejnë ngritjes së cilësisë së studimeve dhe ndërkombëtarizimit të UP-së.

KALLXO.com sot ka raportuar se Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mëngjes kishte bllokuar hyrjen e objektit të Rektoratit të UP-së.

Arsyeja e këtij bllokimi sipas studentëve, është kundërshtimi apo shkarkimi i Bordit Drejtues dhe menaxhmentit të UP-së për shkak të politizimit të tyre, gjendja e keqe infrastrukturore e fakulteteve, mungesa e literaturës, mosakreditimi i programeve, certifikatat nga kurset private për nivelin A2 në një gjuhë të huaj për studentët që duan të regjistrojnë studimet Master apo Doktoratë.

https://kallxo.com/parlamenti-studentor-bllokoi-hyrjen-e-rektoratit-te-up-se/