Studentët e Fakultetit të Edukimit kërkojnë që afati i nëntorit të jetë me dy provime

Përfaqësuesit e studentëve të Fakultetit të Edukimit në Universitetin ‘Hasan Prishtina’, kanë reaguar pas vendimit që afati i nëntorit të mbahet vetëm me një provim.

Në rast se Fakulteti nuk ndryshon vendimin, studentët kanë vendosur që të bojkotojnë ligjëratat.

Albin Hoxha, kryetar i Këshillit të Studentëve ka thënë se këto vendime janë të papranueshme për studentët.

“Kemi tentuar rrugë të shumta të komunikimit, kemi mirëkuptuar pengesat të cilat vitin e kaluar kanë rezultuar me mosmbajtjen e këtij afati, mirëpo tanimë pas mbajtjes se zgjedhjeve si dhe tubimeve të ndryshe është e turpshme të ripërdoret pandemia si një arsye shtesë”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër, Blerta Perolli- Shehu, Prodekane për çështje mësimore ka thënë se për shkak të numrit të madh të studentëve dhe programeve është e pamundur që të mbahen dy provime.

“Në fakultetin tonë është marr vendim, meqë lejohen deri në dy, të mundësojmë një provim për studentët në këtë afat plotësues. Fakulteti jonë ka një numër të madh të studentëve, për shkak të situatës pandemike mësimi ka nisur me vonesë. Gjatë muajit nëntor na është lejuar nga senati që t’i zëvendësojmë të gjitha orët e tetorit”, është shprehur Perolli- Shehu.

Në vitin 2019 Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marr vendim që afati i nëntorit të jetë afat plotësues dhe studentët të mund të paraqesin deri në dy provime.