Turne Multietnik Tenisi në Prishtinë

Zëvendës shefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Paivi Nikander bëri hapjen e turneut të tenisit i cili do të jetë i hapur për pesë ditë e ku fëmijët që nga mosha 8 deri në 18 vjeç do të kenë mundësinë që të trajnohen në mbikëqyrjen e trajnerëve të akredituar të tenisit.

Rreth 50 pjesëmarrës nga komunitetet shqiptare, serbe, gorane dhe turke do të marrin pjesë në këtë turne.

Qëllimi i këtij turneu është të rrisë pjesëmarrjen e fëmijëve në nevojë në sport, dhe ndërveprimin mes komuniteteve të ndryshme.

Nikander tha se i bëhet qejfi pasi që ky turne mbledh fëmijët e nacionaliteteve të ndryshme në një fushë e të gjithë këta do të kenë mundësinë ta flasin të gjithë të njëjtën gjuhë, atë të tenisit.

“Na bëhet qejfi dhe jemi shumë të gëzuar që jeni këtu. Arsyeja pse OSBE-ja e mbështet këtë aktivitet si dhe aktivitete të tjera të ngjashme është për shkak se ne gjithmonë jemi të prirur nga ideja të mbledhim sa më shumë fëmijë nga mbarë Kosova që flasin gjuhë të ndryshme që kanë sfond dhe prapavijë historike të ndryshme por të gjithë së bashku mblidhemi këtu që të flasim të gjithë në një gjuhë e ajo gjuhë është gjuha e tenisit”, tha

Arben Islami, trajner i tenisit, shpreson që këta fëmijë në të ardhmen e tyre të shndrisin në arenën ndërkombëtare.

“Ne do të mundohemi që kjo ngjarje të ketë shumë sukses. Shpresoj që këta fëmijë do të shndrisin ndonjëherë në arenën ndërkombëtare”, tha Islami.

Ndërsa trajneri i klubit të tenisit “Graçanica”, Dejan Zhiviq, tha se ky aktivitet vetëm sa do t’i thellojë për të mirë marrëdhëniet mes dy klubeve atë të Prishtinës dhe Graçanicës.

“Me këtë aktivitet të sotëm ne vetëm sa do t’i thellojmë dhe më tej ato marrëdhëniet e mira që i kemi pasur si dy klube tenisi dhe jo vetëm kaq por do t’i çojmë edhe më tej duke shpresuar edhe më të mirën”, tha Zhiviq.

Ky turne i organizuar nga OSBE do të jetë i hapur për pesë ditë, ku nxënësit të cilët do të ndjekin këtë trajnim do të kenë mundësinë që të trajnohen nga trajner të akredituar të tenisit.

Pas përfundimit të trajnimit, më 10 shtator pjesëmarrësit do të marrin certifikata, kurse vendi i parë dhe i dytë i të dy grupeve do të shpërblehen me medalje.