Tre Vjet Burg për Pjesëtarin e ISIS-it

Bajrami është dënuar për aktivitetin e tij terrorist në Siri në mes muajve shkurt dhe maj të 2015-ës. Me vendim të gjykatës pjesëtari i ISIS-it është lënë i lirë deri në momentin kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

Dënimi ndaj Bajramit është njëri nga dënimet e para të shpallura nga gjyqësori i Kosovës për kosovarët të cilët ishin, ose janë pjesë e organizatave terroriste.

Gjykatësja e rastit, Emine Saliu, para të pranishmëve ka argumentuar arsyet pse gjykata ka vendosur që ndaj Bajramit të shqiptohet një dënim më i butë sesa dënimi ligjor.

Sipas ligjit, pjesëmarrja në grupet terroriste është vepër e dënueshme me minimumin prej 5 vjetësh, mirëpo kolegji i gjykatësve të Gjilanit ka vendosur që ndaj 19 vjeçarit të shqiptohet dënim më i ulët, me arsyetimin se ai është penduar dhe e ka pranuar fajësinë.

Hetimet e prokurorisë kishin arritur në përfundimin se Bajrami nga data 17 shkurt 2015 e gjer në fund të muajit maj 2015 i është bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Sipas prokurorisë, Bajrami gjatë kësaj kohe në shtetin e Sirisë iu ka nënshtruar trajnimit teorik dhe praktik për përdorimin e armëve të ndryshme. Kjo organizatë sipas Kombeve të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste.

Në procesin gjyqësor ndaj tij Bajrami kishte pranuar fajësinë.

“E di për çka akuzohem dhe pranimin e fajësisë e kam bërë vullnetarisht dhe di të ju them që kur kam arritur në atë vend, e kam pa që kam gabuar dhe menjëherë kam fillu tentativat që të kthehem në familjen time dhe vendin tim, por ka qenë e pamundur,”ishte shprehur ai para gjykatës.

Bajrami është njëri nga dhjetëra kosovarët  e arrestuar në dy vjetët e fundit mbi të cilët rëndojnë akuza për pjesëmarrje në grupet terroriste si ISIS dhe “Al Nusra”.

KALLXO.com ka shkruar edhe me herët për këtë rast

http://kallxo.com/i-akuzuari-gabova-qe-shkova-ne-siri/