Flamuri i Iranit

Irani e mohon se SHBA-ja e paralajmëroi për sulmin vdekjeprurës nga ISIS

Irani i ka hedhur poshtë raportimet në media se Shtetet e Bashkuara (SHBA) e kishin paralajmëruar për një sulm nga grupi ekstremist, Shteti Islamik (ISIS), ku u vranë mbi 90 njerëz.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA, e citoi të premten “një burim të informuar diplomatik” i cili e hodhi poshtë një raportim të Wall Street Journal më 25 janar se inteligjenca amerikane e kishte paralajmëruar Iranin për sulmin.

Ajo e citoi edhe një “burim të sigurisë” duke thënë se “edhe po të ishte e vërtetë, Uashingtoni do ta kishte ndarë këtë informatë të inteligjencës për ta mbrojtur veten kundër reagimit të Iranit”.

Përgjegjësinë për dy shpërthimet më 3 janar gjatë përkujtimit të përvjetorit të Qassem Soleimanit, gjeneralit të Gardës Revolucionare të Iranit, në qytetin juglindor, Kerman, e mori Shteti Islamik (ISIS).

Ky grup tha se dy anëtarë të tij i detonuan jelekët e tyre të mbushur me eksplozivë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 90 njerëzve dhe plagosjen e më shumë se 280 të tjerëve.

Irani i ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se kanë gisht në këtë sulm, pa dhënë ndonjë dëshmi për këtë.

Teherani ka kohë të gjatë që pretendon, duke mos dhënë kurrfarë dëshmie, se Shtetet e Bashkuara kanë lidhje me IS-in.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonime, e konfirmoi raportin e Wall Street Journal për paralajmërimin e Iranit në një emial dërguar Radios Farda të Radios Evropa e Lirë.

“Ne i ofrojmë këto paralajmërime, pjesërisht sepse nuk duam që njerëzit e pafajshëm të humbin jetën në sulme territori”, tha zyrtari amerikan në një email.

Wall Street Journal citoi zyrtarët amerikanë në kushte anonime duke thënë se informatat dërguar Iranit ishin “mjaftueshëm specifike për lokacionin”, të cilat kanë mundur ta ndihmonin Teheranin ta parandalonte sulmin.

Radio Farda mësoi se paralajmërimi u bë rreth një javë para sulmit.

Këto shpërthime kanë nxitur frikën se mund të zgjerohet konflikti në rajon, pasi Izraeli po e vazhdon luftën kundër grupit të cilësuar organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, Hamas, në Rripin e Gazës, dhe grupi rebel Huthi nga Jemeni, i cili është i lidhur me Iranin, po i vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq./REL