Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së - Foto: KALLXO.com

Transportuesi i barërave: Asnjëherë nuk e kam ditur se sa kam ngarkesë në kamion

Në gjykimin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të kësaj Ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Isa Kastrati, i cili ka transportuar barërat me kamion.

Ky dëshmitar gjatë dëshmisë së tij deklaroi se bartjen e barërave me kamion e ka bërë në relacionin Mazgit-Krivo në shkritore.

Dëshmitari deklaroi se në depon në Mazgit zakonisht ka shkuar në mëngjes por që ka pasur raste që ka mundur të shkojë edhe më vonë.

“Në depo në Mazgit zakonisht kemi shkuar në mëngjes por edhe më vonë, pasi ka pasur kamionë të tjerë dhe pas ngarkesës së atyre kamionëve kam shkuar. Nëse kam shkuar i pari e kam gjetur derën të mbyllur, nëse kam shkuar më vonë e kam gjetur të hapur”, tha ai.

Ndërsa kur u pyet nga mbrojtësi i Remzije Thaçit, avokati Kujtim Kërveshi nëse dëshmitarit i thoshte diçka emri Atdhedon Podvorica (i cili ka qenë rojë në depon në Mazgit), dhe nëse e njihte të njëjtin, dëshmitari u përgjigj se nuk i kujton asgjë ai emër.

Madje edhe kur u pyet se nëse gjatë bartjes së barërave të kishte qenë i pranishëm aty fizikisht roja i depos, ai u përgjigj: “Me sa e di unë, jo”.

Ai tha se edhe në rastet kur i ka rastisur që të largohej i fundit me kamion për t’i bartur barërat, nuk e ka parë askënd që e mbyllte derën pastaj.

Dëshmitarin avokati Kërveshi e pyeti edhe nëse ai gjatë punës në depo kishte qenë në dijeni se aty ka pasur një komision nga Qeveria.

Dëshmitari deklaroi se ai kishte dijeni se aty ndodhej një komision por që ai nuk është në dijeni nëse ata persona kanë mbajtur shënime apo jo, sepse puna e tij zakonisht ka qenë te peshorja. Dhe ka pasur distancë të konsiderueshme në mes tyre.

“Zakonisht kanë qenë 3, dy femra dhe një mashkull, zakonisht kanë qëndruar te peshorja, por s’i kam parë a kanë shkruar apo jo sepse ka qenë larg distanca dhe s’ka qenë obligim i imi”, tha dëshmitari.

Ndër të tjera ai deklaroi se asnjëherë nuk e ka ditur se sa ka pasur peshë në kamion, pasi që matja është bërë vetëm kur e ka dorëzuar ngarkesën në shkritore.

Ai tha se ka pasur raste kur matja e ngarkesës në shkritore nuk është bërë në ditën e njëjtë kur është bërë ngarkesa, e kjo tha se ka ndodhur për shkak të mbarimit të orarit.

Pas dëgjimit të këtij dëshmitari trupi gjykues ka vazhduar me administrimin e provave, ku palët në procedurë kanë pasur rastin të bëjnë propozime në lidhje me administrimin e provave të reja.

Në lidhje me këto propozime do të vendoset në seancën e radhës, e cila do të mbahet nesër me ç’rast pritet që të akuzuarit ta japin mbrojtjen.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhet nga tri pika.

Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.

Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro.

Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Për këtë Prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pika e dytë e aktakuzës e akuzon Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit  “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.

Me këtë në vazhdimësi sipas prokurorisë Kuqi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e tretë e akuzon Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares  së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.

Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe Gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, Gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë.

Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.

Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.