'Transparency International': Kosova Ka Përparuar në Trajtimin e Korrupsionit

Përpara publikimit të indeksit më të fundit të korrupsionit të ‘Transparency International’, ekspertja e Europës Juglindore, Cornelia Abel thotë se vendet e Ballkanit mezi lëvizën në pozita, pasi ‘kapja e shtetit’ dhe gjykatat e dobëta e pengojnë përparimin.

Ndikimi mbizotërues i figurave politike, zakonisht të afërt me biznesin apo krimin e organizuar, mbetet problemi kryesor në trajtimin e korrupsionit në Ballkan, tha menaxherja e projektit të ‘Transparency International’ dhe ish-këshilltarja rajonale për Europën Juglindore, Cornelia Abel.

“Kjo lidhje rrezikon, ose në disa raste edhe pezullon në masë të madhe sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit”, tha Abel në një intervistë për BIRN përpara publikimit të raportit vjetor global të ‘Transparency International’ mbi perceptimin e korrupsionit.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, i publikuar të mërkurën, rendit 180 vende dhe territore sipas niveleve të tyre të perceptimit të korrupsionit në sektorin publik duke iu referuar ekspertëve dhe biznesmenëve.

Ai rendit vendet nga 0 [perceptuar si shumë të korruptuar] deri në 100 [perceptuar si më pak të korruptuar], rezultatet e këtij viti zbuluan se më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50, me një rezultat mesatar prej 43.

Indeksi tregon se shumica e vendeve të Ballkanit kanë rënë në krahasim me vitin e kaluar, por sipas Abel, kjo është në nivelin e “gabimit statistikor”.

“Nga viti 2016 deri në vitin 2017 asnjë nga vendet e rajonit, apo kudo në botë, nuk ka pasur një përmirësim ose ulje të ndjeshme [në vlerësim]”, tha Abel.

Sipas saj, rezultatet e matura për një periudhë më të gjatë, nga viti 2012 deri në vitin 2017, tregojnë se vendet e Ballkanit kanë ngecur në këtë fushë.

Përveç “kapjes” së sistemeve politike nga zyrtarë të fuqishëm, ajo citon shtypjen e institucioneve të pavarura, gjyqësorin jo të pavarur dhe zbatimin e dobët të ligjit, si problemet kryesore në Ballkan.

Abel ​​e quajti Serbinë shembullin e një “sistemi politik të kapur”, duke përmendur ndikimin e tepruar të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia … po shndërrohet në një shembull kryesor të një personi në pozitën e pushtetit që influencon të gjithë të tjerët”, tha ajo.

Serbia ka rënë pesë pozita në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, nga vendi i 72-të në vitin 2016 në vendin e 77-të në vitin 2017, por Abel tha se lufta kundër korrupsionit në Serbi nuk po bën përparim të vërtetë.

Ajo përmendi disa pengesa specifike, të tilla si përpjekjet për të kufizuar qasjen e lirë në informata me rëndësi publike dhe emërtimin e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit të vendit të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe në pushtet.

Në Shqipëri, e cila ka rënë nga vendi i 83-të në vendin e 91-të, përparimi u arrit në trajtimin e korrupsionit të vogël në sektorin publik, por më shumë punë duhet të bëhet për çështje më të mëdha si korrupsioni në gjyqësor, tha Abel.

Bosnja dhe Hercegovina, e cila zinte vendin e njëjtë si Shqipëria në të dy vitet, është një “rast i qartë i ngecjes”, pa asnjë ndryshim të vërtetë gjatë 10 viteve të fundit, vuri në dukje ajo. “Është një nga ato vende që ndërmarrin një hap përpara dhe dy hapa prapa”, tha Abel.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit, Maqedonia kishte rënien më të madhe, nga pozita e 90-të në vitin 2016 në pozitën e 107-të në vitin 2017, por Abel ​​ia atribuoi këtë rënie tronditjeve të korrupsionit nën ish-kryeministrin, Nikola Gruevski.

“Fatmirësisht, Gruevski nuk u fut përsëri në pushtet dhe ka shumë shpresë në qeverinë e re”, vuri në dukje ajo.

Të vetmet dy vende që kanë përparuar krahasuar me vitin e kaluar janë Bullgaria, e cila u rrit nga vendi i 75-të në vendin e 71-të, dhe Kosova, e cila u rrit nga pozita e 95-të në pozitën e 85-të. Por Abel nënvizon se një ndryshim njëvjeçar nuk është statistikisht i rëndësishëm.

“Duke folur për përmirësimin, [ajo] nuk përputhet mjaft me nivelin e lartë të korrupsionit të perceptuar në të gjitha sondazhet e ndryshme që partnerët tanë në Kosovë kryen kohët e fundit”, tha ajo.

Sa për Bullgarinë, nuk ka “një strukturë efektive anti-korrupsion”, pasi ligji i shumëpritur kundër korrupsionit nuk arriti të jepte rezultate, shtoi Abel.

Ajo tha se në Kroaci, e cila mbajti pothuajse të njëjtin vend, duke rënë vetëm nga vendi i 55-të në vendin e 57-të, problemet janë përkeqësuar me një kthesë të fortë drejt politikës së djathtë.

Sipas Abel, kjo është shoqëruar me dobësimin e institucioneve të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile dhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i Kroacisë është përkeqësuar që kur hyri në Bashkimin Evropian në vitin 2013.

Mali i Zi mbetet i vetmi vend që nuk ka bërë përmirësime, madje as statistikisht, duke qëndruar në vendin e 64 në renditje, Abel tha se tentativa e grushtshtetit në vitin 2016 “ndaloi përpjekjet kundër korrupsionit deri në një farë mase”.

Rumania, e cila ka rënë nga vendi i 57-të në vendin e 59-të në renditje, qëndron më lart për protesta masive të vitit të kaluar kundër korrupsionit, si dhe për ndjekjen penale kundër korrupsionit, kryesuar nga kryeprokurorja, Laura Kovesi.

“Qëllimi përfundimtar është që qytetarët të jenë të interesuar të mbajnë shikimin nga qeveria dhe institucionet e tyre”, tha Abel.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se nuk është e mjaftueshme që vetëm një institucion të kryejë punën e vet, por “sistemi i tërë”.

Një tjetër gjë që ‘Transparency International’ vuri në dukje është lidhja midis korrupsionit, lirisë së shtypit dhe shoqërisë civile.

Abel citoi të dhënat nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, duke thënë se 368 gazetarë vdiqën duke ndjekur histori në vitin 2012 dhe 96 për qind e këtyre vdekjeve ishin në vende ku CPI-ja ishte më e ulët se 45.

Ajo thotë se ‘Transparency International’ ka vërejtur “më shumë goditje ndaj gazetarëve dhe rritjen e presionit mbi shoqërinë civile” në shumë vende të Europës Lindore.

“Kjo … shton një mjedis në të cilin zyrtarët e korruptuar, biznesmenët e rrezikshëm dhe figurat e krimit të organizuar janë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar, sepse mbikëqyrja e pavarur mungon”, përfundoi ajo.