10 raporte, 5 kryeministra – Si u rendit Kosova ndër vite në perceptim të korrupsionit?

Në vitin e parë të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti është barazuar rekordi i Kosovës për marrjen e më së shumti pikëve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Në 2021, Kosova ishte vlerësuar me 29 pikë sa i përket indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Me kaq pikë Kosova ishte krahasuar vetëm një herë tjetër prej që ka nisur publikimi i këtij raporti për Kosovën.

Në vitin 2017, kur kryeministër ishte Isa Mustafa, Kosova kishte marrë numrin e njëjtë të pikëve, 39.

Numri i pikëve tregon se sa është perceptimi për korrupsionin në atë vend.

100 pikë i merr një vend që është shumë i pastër e pa korrupsion. Ndërsa 0 pikë i merr një vend që është shumë i korruptuar.

Indeksin Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Kosova ka marrë 39 pikë duke u renditur në vendin e 87 nga 180 vende.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Ndonëse qeveria e tij ishte zgjedhur më 22 mars të vitit 2021, kryeministri i vendit, Albin Kurti meritat ia ka atribuuar qeverisë së tij.

“Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile. Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Mirëpo kështu nuk ka menduar paraardhësi i Kurtit, Avdullah Hoti i cili ka thënë që progresin e kanë bërë qeveritë e udhëhequra nga LDK.

“Dy qeveritë e udhëhequra nga LDK e kanë ndryshuar trendin për të mirë në çdo fushë”, ka shkruar Hoti.

Më së paku pikë në indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova kishte marrë në kohën kur ekzekutivi udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Në vitin e parë të qeverisë Thaçi 2, Kosova kishte marrë 34 pikë në indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012.

Nga 176 vende ku bëhej kjo matje, në atë vit, Kosova ishte renditur në vendin e 105.

Qeveria Thaçi 2 është zgjedhur me 22 shkurt të vitit 2011 në një koalicion PDK-AKR, Lista Ibrahim Rugova dhe pakicat. Qeveria Thaçi dy zgjati deri në vitin 2014.

Ndërsa në vitin 2021, Kosova është renditur në vendin e 87. Vetëm në vitin 2017, kur kryeministër ishte Isa Mustafa, Kosova ishte renditur më poshtë se kaq, në vendin e 85 nga raportet e Transparency International.

Në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, Kosova ka marrë 36 pikë në indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016.

Në vitin e parë të qeverisë Mustafa, Kosova është renditur në vendin e 95 nga 176 vende. Ndërsa një vit më vonë kishte rënë në vendin e 85.

Isa Mustafa ishte zgjedhur kryeministër i vendit, më 9 dhjetor të vitit 2014. Nga pazari i koalicionit PDK-LDK, Mustafa do të bëhej shef i ekzekutivit, ndërsa Hashim Thaçi president i vendit.

Në vitin e parë të tij të plotë si kryeministër, në 2018, Ramush Haradinaj kishte marrë raportin e Transparency International që i jepte Kosovës 37 pikë dhe e vendoste në vendin e 93, më keq se një vit paraprak.

Mirëpo, një vit më vonë, pozita e Kosovës ishte keqësuar edhe më shumë. Raporti i Transparency International i vitit 2019, Kosovës i kishte dhënë 36 pikë dhe e kishte renditur në pozitën e 101.Nga 180 vende, Kosova është renditur në vendin e 101.

Me 9 shtator të vitit 2017, Ramush Haradinaj ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës për të dytën herë pas 13 vitesh. Qeveria Haradinaj përbëhej nga një koalicion prej 22 partive. Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik të vitit 2019.

Ndërsa në vitin 2020, kur në Kosovë udhëhoqën dy kryeministra me periudha gati se të ngjashme, Albin Kurti e Avdullah Hoti, raporti i Transparency International e kishte vendosur Kosovën në vendin e 104, duke e kthyer në 6 vite mbrapa.

Deri në 2020, Kosova ishte renditur kaq poshtë vetëm në kohën kur kryeministër kishte qenë Hashim Thaçi.

Në 2020, Kosova kishte marrë 36 pikë dhe ishte renditur në pozitën e 104.

Edhe në 2021 Kosova ishte udhëhequr nga 2 kryeministra për periudha të ndryshme kohore. Avdullah Hoti kishte qeverisur për 3 muajt e parë të 2021, derisa u votua qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti.

Këtë vit, në raportin e Transparency International, Kosova u vlerësua me 39 pikë dhe u rendit e 87, duke qenë renditja e dytë më e mirë e Kosovës nga kjo organizatë që prej kur kanë nisur matjet edhe për vendin tonë.

Me të njëjtat pikë, 39, por e renditur në vendin e 85, Kosova kishte qenë në vitin 2017 kur kryeministër ishte Isa Mustafa.