(Arkiv) Kryeministri Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti për raportin e Transparency International: Jemi përmirësuar për 20 vende

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me raportin e organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit, për të cilin ai thotë se Kosova u përmirësua për 20 vende.

Sipas Kurtit, luftimi i korrupsionit ishte ndër kërkesat kryesore të qytetarëve dhe prioritet e tij.

“Luftimi i korrupsionit ishte ndër kërkesat kryesore të qytetarëve dhe prioriteti yni. Për gati një dekadë Kosova ishte e ngujuar mes pozitave 105/104 nga viti 2012 deri në vitin 2020. Për vetëm dy vite të qeverisjes sonë jemi përmirësuar për 20 vende, nga vendi 104 sa ishim në 2020 në vendin 84 në vitin 2022”- thuhet në postimin e Kurtit.

“Nëse këtë progres do ta përkthenim në shpejtësinë e lëvizjes, për 8 vite Kosova ishte duke lëvizur në shpejtësinë e parë kurse me qeverinë tonë në dy vitet e fundit jemi në shpejtësinë e 20. Ky është potenciali që kemi si shtet e si shoqëri”- shton ai.

Kreu i ekzekutivit thotë se ky potencial ishte mohuar “nga elitat politike të korruptuara”, që sipas Kurtit, “e vodhën të ardhmen e fëmijëve”.

“Ky potencial ishte mohuar nga elitat politike të korruptuara që duke e pasuruar veten na e vjedhnin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim mirë e ndershëm. Do të vazhdojmë të realizojmë pritjet e qytetarëve e të kryejmë detyrat tona. Bashkë do të avancojmë demokracinë, rrisim mirëqenien, përmirësojmë imazhin dhe fuqizojmë Republikën tonë”- është shprehur ai.

Transparency International ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 84-ta nga 180 vende.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Kosova ka marrë 39 pikë duke u renditur në vendin e 87-të nga 180 vende.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Më së paku pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit Kosova kishte marrë në kohën kur ekzekutivi udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Në vitin e parë të Qeverisë Thaçi 2, Kosova kishte marrë 34 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012.

Nga 176 vende ku bëhej kjo matje, atë vit, Kosova ishte renditur në vendin e 105-të.