Ndertesa e Qeverise, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Raporti për indeksin e përceptimit të korrupsionit në vitin 2023, Kosova me pikë të njëjta si në vitin 2022

Transparency International ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 83-ta nga 180 vende, megjithatë sipas raportit, nuk  ka gatishmëri në Kosovë, për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor dhe se vendi duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit.

Për vitin 2023, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar.

Për vlerësimin e 180 vendeve dhe territoreve të botës, organizata përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zeroja tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e treta, pas Malit të Zi (vendi i  63-të),  dhe Maqedonisë së Veriut (vendi i 76-të). Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria (në pozitën 98), Serbia (në pozitën 104) dhe Bosnjë e Hercegovina (në pozitën 108).

Në raportin e TI theksohet se progresi demokratik që ka arritur Kosova (me 41 pikë), veçanërisht në lidhje me zgjedhjet e lira dhe tranzicionin paqësor të pushtetit, ende duhet të përputhet me veprimin kundër korrupsionit.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë në sistemin e drejtësisë, si krijimi i një procesi verifikimi gjyqësor dhe miratimi i një ligji të ri që mund të forcojë integritetin në Këshillin Prokurorial, sipas raportit, po ecin me ritme shumë të ngadalta.

Tutje, raporti nënvizon se ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, “sugjerojnë se vullneti politik për të hequr dorë nga kontrolli dhe forcimi i mbikëqyrjes së pavarur ende nuk është aty”.

“Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”- thuhet në raport.

Në vitin 2022 Kosova ishte renditur e 84-ta, gjithashtu me 41 pikë.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Kosova kishte marrë 39 pikë duke u renditur në vendin e 87-të nga 180 vende.

Më së paku pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit Kosova kishte marrë në kohën kur ekzekutivi udhëhiqej nga Hashim Thaçi.

Në vitin e parë të Qeverisë Thaçi 2, Kosova kishte marrë 34 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012.

Nga 176 vende ku bëhej kjo matje, atë vit, Kosova ishte renditur në vendin e 105-të.