Foto-ilustrim

Trajnim për Ekzaminimin e Mashtrimeve Financiare

Prokuroria, Policia e Kosovës, Administrata Tatimore, Shërbimi Doganor, Njësia e Inteligjencës Financiare, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe gazetarët hulumtues të BIRN-it, do të jenë pjesë e trajnimit njëvjeçar mbi ekzaminimin e mashtrimeve financiare.

Ky trajnim është bërë në kuadër të projektit për Mbështetjen e Përpjekjeve Kundër Korrupsionit (SAEK II), Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, në partneritet me institucionet lokale në Kosovë.

“Të gjithë këta përfitues do të arrijnë ekspertizë në luftimin e korrupsionit dhe gjetjen e rezultateve të bazuara në zbulimin e korrupsionit dhe mashtrimit. Cilësia e hetimit të rastit të korrupsionit do të rritet përmes këtij trajnimi të plotë”, thuhet në një njoftim të zyrës për informim të UNDP-së.

Drejtori i Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, tha se drejtoria e tij ka rol të rëndësishëm për çështjet e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Nuk ka asgjë më të dëmshme se vjedhja e fondeve publike për përfitimet personale të dikujt “, Tha Shillova, thuhet më tutje në njoftim.

Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Andrew Russell, sipas njoftimit ka mbështetur përpjekjen antikorrupsion.

“Na nevojitet vullneti politik dhe ndërtimi i kapaciteteve. Kjo vjen me guxim “, përmenden në njoftim fjalët e Rusell-it.

Drejtori i Zyrës për Bashkëpunim Zviceran në Kosovë, Patrick Etiene, gjatë takimit tha se korrupsioni është një nga shqetësimet kryesore.

“Korrupsioni është një nga shqetësimet kryesore të popullsisë dhe nuk jam i impresionuar me luftën kundër korrupsionit në Kosovë”, ka thënë Etiene.

Sipas tij ky trajnim është kontribut kyç për Kosovën.

Kosova njërin nga kushtet për liberalizim të vizave e ka arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Emisioni Jeta në Kosovë në nëntor e dhjetor të vitit që shkoi publikoi në tri edicione hulumtimin për vjedhjen e organizuar tatimore nëpërmjet kompanive fiktive.