Thaçi: Të Dekriminalizohet Politika

“Njerëz me aktakuza të mos jenë në institucione të mos jenë as në parlament, as në agjenci, as në borde as në nivel lokal. Asnjë parti politike nuk duhet që në listat e tyre zgjedhore të ketë të tillë kandidatë,” tha Thaçi.

Në debatin në Lëvizjen “Fol” Thaçi tha se duhet të pastrohet i tërë sistemi dhe të hapet debat mes politikës, medieve e shoqërisë civile për këtë çështje.

Ai tha se do të angazhohet për një sistem të efektshëm të drejtësisë.

“Sistemi i drejtësisë, prioritet tjetër për mua. Kemi kornizë shumë të mirë ligjore, por kemi gjetur ca boshllëqe në Kodin Penal të Kosovës. Do të kemi amendamentime të rëndësishme në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin,” tha Thaçi.

Emisioni “Jeta në Kosovë” në mars të këtij viti zhvilloi debat për kryetarët e akuzuar të komunave, disa nga të cilët ishin të PDK-së së drejtuar në atë kohë nga Thaçi.

Edhe në qershor të 2013-ës gazeta “Jeta në Kosovë” shkroi se nëntë kryetarë komunash të Partisë Demokratike të Kosovës që drejtohej prej Thaçit ishin të dënuar, ose nën akuza.

Dhjetë Kryetarë Komunash të Akuzuar ose Dënuar

Thaçi pastaj u ofrua edhe si ndërmjetësues dhe ndihmues në dialogun pozitë-opozitë.

“Do të zhvilloj dialogun mes liderëve politikë dhe liderëve të opozitës. Dialogu nuk ka alternativë, e vetmja rrugë për zgjedhjen e problemeve,” tha Thaçi.

Për Presidentin klasën politike të vendit e bashkon rruga evropiane e Kosovës.

Thaçi u pyet se a do ta çojë vendin në zgjedhje, por u përgjigj se kjo çështje u takon liderëve politikë, e jo Presidentit.

Ai shfaqi bindjen se do të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Kam besim që FAK-u do  të formohet shumë shpejt, tash gjithçka varet prej nesh. Do të jetë forcë multietnike,” tha Thaçi.

Presidentit iu shtrua edhe pyetja se a e sheh problematike Gjykatën Speciale. Thaçi tha se “Nuk shoh problematikë në funksionimin e sistemit të drejtësisë”.

Presidenti përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel. Foli për rëndësinë e pajtimit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve e serbëve për stabilitet në rajon.

Por ai nuk ishte shumë i qartë nëse do të marrë pjesë në të ardhmen në këtë dialog, ku isshte pjesëmarrës në fillim si Kryeministër, e më vonë edhe si zëvendëskryeministër.

Sipas Thaçit dialogu i Brukselit do të vazhdojë sipas modelit të përcaktuar më herët, por është e mundur që të rritet pjesëmarrja e spektrit politik në këtë proces.

Thaçi në “Fol Hapur” tha se do të kujdeset edhe për komunitetet.

“Do të vazhdoj me komunitete. Të gjithë pa dallim etnie kemi problemet e njëjta. Kosova shembull i bashkëjetesës në rajon, duhet ta vazhdojmë. Komunitetet vazhdojnë të mbesin vlerë për shtetin,” tha Thaçi.

Ai dje u takua me Këshillin Konsultativ për Komunitete.

http://kallxo.com/thaci-dialogu-si-celes/

Presidenti deklaroi se “ombudspersoni dhe komuniteti LGBT po ashtu do të jenë në fokus të punës sime”.