Thaçi: Reforma do të Përmbyllet

Edhe pse në vitin 2013 nuk u arrit pajtim për reformën zgjedhore, Presidenti Thaçi që ftoi sot një takim për këtë reformë, tha se ajo duhet të kryhet.

“Askund në botë reformat elektorale nuk bëhen 100 për qind në pajtueshmëri me të gjithë, por me një konsensus të gjerë politik. Askush nuk e ka të drejtën për bllokimin e reformës, kështu që kjo reformë do të përmbyllet,” tha Thaçi.

Në takimin e sotëm nuk morën pjesë përfaqësues të partive opozitare

“Roli im është vetëm ta inicioj këtë proces, por vendimmarrja u takon partive politike. Qëllimi i diskutimit këtu është thjeshtimi, menaxhimi ma i lehtë, numërimi ma i lehtë dhe rritja e transparencës,” tha Thaçi.

Ai deklaroi se nuk duhet të ketë ankesa për sistemin zgjedhor, nëse nuk kontribuohet për përmirësim të tij.

“Ne nuk mund të rrimë e të ankohemi që po ndodhin deformime, por duhet të punojmë që ato t’i largojmë,” tha Thaçi.

Ai tha se reforma për zgjedhjet lokale duhet të kryhet deri në pranverë të vitit të ardhshëm.

“Këtë proces duhet ta përmbyllim në pranverë të vitit të ardhshëm për zgjedhjet lokale meqë ato janë në vjeshtën e 2017,” tha Thaçi.