Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Thaçi reagon ndaj raportimit të gazetës serbe e cila shkroi se ai është ftuar nga Gjykata Speciale

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka reaguar ndaj një shkrimi të gazetës beogradase “Novosti”, e cila ka shkruar se “Thaçi është ftuar nga Dhomat Specializuara”.

Thaçi ka shkruar se lajmi i plasuar nga gazeta serbe është një shpifje dhe se është një lajm qëllimkeq.

Ai ka shkruar se nëse do të ftohej nga Gjykata Speciale pa asnjë hezitim do t`i përgjigjej një ftese të tillë.

POSTIMI I PLOTË I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS HASHIM THAÇI:

Artikulli i gazetës serbe “Novosti”, ku përmendet edhe emri im si kinse i ftuar nga Dhomat e Specializuara, është i pavërtetë dhe shpifje qëllimkeqe.

Nëse do të ftohesha, pa asnjë hezitim do t’i përgjigjesha ftesës, në çdo moment, si të gjithë bashkëluftëtarët tjerë.

Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e dinjitetshme dhe projekti më madhor politik e ushtarak në historinë e kombit shqiptar. Krenohem me UÇK-në. HTH