Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Thaçi paralajmëron 'marrëveshje historike' me Serbinë, thotë se ka siguruar mbështetjen e SHBA-ve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell.

Përmes Facebook-ut, Thaçi deklaroi se me Mitchell biseduan për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Ndihmës-Sekretarin Mitchell e falënderova për qëndrimin e qartë të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fazës së fundit të dialogut. Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi presidenti në Facebook.

Më 7 shtator të këtij viti në Bruksel do të mbahet takimi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi.

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë bërë të ditur se në marrëveshjen përfundimtarë do të përfshihet edhe korrigjimi i kufijve.

Statusi i plotë i presidentit Thaçi në Facebook:

Sapo përfundova një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin biseduam për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ndihmës-Sekretarin Mitchell e falënderova për qëndrimin e qartë të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fazës së fundit të dialogut.

Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndihmës-Sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces.

Përfshirja e SHBA-së dhe partnerëve tjerë strategjikë të Kosovës në fazën e fundit të dialogut, të lehtësuar nga BE-ja, është një garanci për suksesin e plotë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike. Miqësia dhe besimi në SHBA-në do të jetë i përjetshëm. HTH