Thaçi Nderon për Herë të Dytë Jetullah Deskun

Thaçi tregoi në akademi se para 26 vjetësh, atëherë si student, kishte marrë pjesë në varrimin e Jetullah Deskut, pasi vrasja e tij e kishte tronditur shumë.

Nga ish-Armata Popullore e Jugosllavisë në vitet ’90 erdhën në arkivole 100 të rinj shqiptarë që kryenin shërbimin ushtarak.

Thaçi për këto vrasje e fajësoi Beogradin. Sipas tij “kjo listë e të rinjve të vrarë në Ushtrinë Jugosllave nuk ishte e rastësishme, ishte mesazhi më i mirë tregues se këto vrasje e kishin një qendër koordinuese, e ajo ishte politika e Beogradit”.

Thaçi në akademi kujtoi atë kohë kur tha se shqiptarët e Kosovës ishin qytetarë të dorës së dytë.

“Gjatë gjithë periudhës së ashtuquajtur të shërbimit ushtarak shqiptarët ishin të vëzhguar dhe të mbikëqyrur, veçanërisht nga shërbimi sekret i Armatës Popullore të Jugosllavisë. Të rinjtë tanë ishin të detyruar ta kryenin shërbimin ushtarak në territoret e ndryshme të Jugosllavisë…Pra  shqiptarët ishin të thirrur t’i shërbenin një shteti që nuk i deshi shqiptarët,” tha Thaçi.

Presidenti pastaj lexoi një nga një emrat e të rinjve shqiptarë që u kthyen të vdekur gjatë kryerjes së ushtrisë.

Kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota nën patronatin e të cilit u zhvillua akademia tha se e rëndë si vrasja e Jetullah Deskut ishte edhe paraqitja e saj si vetëvrasje.

“Ashtu siç ishte e rëndë për familjen vrasja e birit të tyre, e rëndë dhe skandaloze ishte edhe arsyetimi i ushtarakëve jugosllavë për kinse vetëvrasje,” theksoi Bashota.

Në fund u transmetua një dokumentar 15 minutësh lidhur me vrasjen e Jetullah Deskut.

Jetullah Desku u vra me 18 maj të vitit 1990 derisa kryente shërbimin e obliguar ushtarak të asaj kohe.