Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi Fton të Gjithë Deputetët të Votojnë Demarkacionin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë Demarkacionin që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të lëvizin të lirë.

Thaçi është shprehur se ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sot në Kuvendin e Kosovës, do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës.

“Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë”, ka shkruar Thaçi në postimin e tij në Facebook.

Presidenti Thaçi i ka ftuar të gjitha partitë që të respektojnë vullnetin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe religjioze, për të lëvizur të lirë.

“Ftoj Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë.Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje”, ka theksuar Thaçi në postimin e tij.

Ai më tej ka thënë se le të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës dhe një ditë unifikuese e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend.