Thaçi e Mustafa Dënojnë Sulmin Ndaj Ndërtesës së Kuvendit

Sulmin e mbrëmshëm ndaj ndërtesës së Kuvendit e kanë dënuar sot Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri Isa Mustafa.

Presidenti Thaçi i cili po qëndron në Rio të Brazilit ka shkruar në rrjetin social të Facebook në lidhje me rastin.

“Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovën tonë”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.

“Dënoj ashpër sulmin e mbrëmshëm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Mund të mos jemi në dijeni të emrave të sulmuesve, por e dimë se ata janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe”, ka vazhduar Presidenti duke thënë se ka besim në organet e drejtësisë se do ti identifikojnë sulmuesit.

Ndërsa kreu i Qeverisë, Isa Mustafa sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit e ka cilësuar si sulm mbi pavarësinë.

”Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë. Kuvendi është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik. Askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet e shtetit tonë”, ka shkruar Kryeministri Mustafa .

Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të punojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Ndërsa deri më tani nuk kemi parë ndonjë reagim të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

E gjatë ditës së djeshme e në orët e para të mëngjesit kanë reaguar edhe shumë deputetë e zyrtarë të lartë shtetërorë.

Mbrëmë rreth orës 23 është sulmuar ndërtesa e Kuvendit me një mjet shpërthyes që dyshohet të ketë qenë raketa hedhës.

http://kallxo.com/sulmohet-me-mjet-shperthyes-kuvendi-i-kosoves/