
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM
Kurti: Që Kosova të kontribuojë më shumë, duhet të jemi pjesë e familjes europiane e rrugëtimi ynë të vlerësohet
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në ditën shënimin e Ditës së Europës është shprehur se ruajtja e unitetit në ditët e sotme është e rëndësishme si asnjëherë më parë si shkak i politikave e ideologjive ekestremiste.
Kurti theksoi se Dita e Europës është më shumë se një ditë feste.
“74 vite më parë, u vendosën gurthemelet e unionit evropian, përmes deklaratës së Ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, arkitektit të projektit të integrimit evropian, në Salon de l’Horloge të Quai d’Orsay në Paris. Uniteti, solidariteti e bashkëpunimi, rezonojnë ende sot si parime unike e të patjetërsueshme, për ruajtjen e demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit në kontinentin tonë”- ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit, vetëm “një Europë e bashkuar mund të bëhet mburojë ndaj agresioneve ushtarake e tentimeve destabilizuese që cenojnë paqen dhe rrezikojnë lirinë”.
“Republika e Kosovës jo vetëm që i bashkohet thirrjeve dhe misionit të mbrojtjes së demokracisë anekënd Evropës, por edhe në vazhdimësi dëshmon vullnetin e gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, si në përafrimin e politikës së jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe në mbështetjen e të gjitha masave të vendosura ndaj agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës”- është shprehur më tej Kurti.
Ai theksoi se që kontributi të jetë më i madh, duhet të “jemi pjesë e familjes europiane e rrugëtimi ynë të vlerësohet në baza meritokracie”.
“Teksa edhe zgjerimi është rikthyer në vëmendje e agjendën e BE-së pas shumë vitesh, vendi ynë ka aplikuar dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Avancimi i vendit tonë në rrugën drejt BE-së, do ishte sinjal pozitiv për vendin dhe për vlerat demokratike”- ka shtuar Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën 08.05.2024 deklaroi se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KiE).
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë në Prishtinë, Kurti tha se Kosova është duke u përballur javët e fundit me “një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me anëtarësimin” në Këshillin e Evropës.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë tha se duan anëtarësim meritor sepse Kosova ndan vlera të përbashkëta me Këshillin e Europës.
Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.
Pas kësaj, hapi i fundit për këtë proces është votimi nga ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.
Por, kjo çështje e anëtarësimit të Kosovës, ende nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare.
Më 16-17 maj është planifikuar të mbahet ky takim i ministrave në Strasburg – takim për të cilën qe gati një muaj është përfolur se në të do bëhet votimi përfundimtar për Kosovën.
Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Kurti: Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës