Thaçi e Hoxha në takimet e grupit punues për ndryshimet e kodeve penale | Foto: Zyra e Presidentit

Thaçi e Hoxha Inkurajojnë Ndryshimet në Kode

Presidenti Thaçi gjatë fjalës së tij para anëtarëve të grupit punues për ndryshim-plotësimin e Kodit Penal dhe atë të Procedurës Penale, kërkoi punë që të shmangen zbrazësitë ligjore, ndërsa tregoi se që në fillim të mandatit ka kërkuar ndryshimet e këtyre kodeve.

“Këtë gjë e kam kërkuar në funksion të rishikimit të legjislacionit të drejtësisë penale me qëllim të plotësimit të  infrastrukturës ligjore në fushën e drejtësisë penale dhe eliminimin e zbrazëtive dhe mangësive ligjore në këtë fushë,” tha Thaçi.

Ai kërkoi infrastrukturë të fuqishme ligjore për luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministrja e drejtësisë Dhurata Hoxha, në fjalën e saj para këtij grupi punues, inkurajoi këtë grup që ndryshim-plotësimet e kodeve t’i kryejnë sa më shpejt, ndërsa falënderoi ata që dërguan komente për këto plotësim-ndryshime.

Blerim Isufi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës tha se ndryshim-plotësimet janë të nevojshme, pasi sipas tij ende ka sfida në zbatimin e së drejtës penale.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi shprehu bindjen se ndryshim-plotësimet e Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale “do të kenë rëndësi të madhe dhe do të ndikojnë në avancimin e sistemit të drejtësisë”.

Prokurori Besim Kelmendi tregoi se sugjerime për ndryshim-plotësim janë marrë nga të gjithë prokurorët dhe ato sugjerime grupi punues do t’i çojë përpara.

Në Raportin e Progresit të publikuar më 9 nëntor për Komisionin Evropian vazhdon të jetë shqetësues ndikimi politik në sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e tij dhe ndjekjet e pakta për shkelje disiplinore të gjyqtarëve e prokurorëve.

Edhe në raportin e Transparency International “Barometri Global i Korrupsionit” të publikuar më 16 nëntor, pas zyrtarëve qeveritarë dhe deputetëve vijnë gjyqtarët në grupin e më të korruptuarve në Kosovë.