Foto: ZPRK

Thaçi anulon pjesëmarrjen në Samitin e BERZh-it

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samitin e thirrur në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Presidentit përmes një komunikate për media.

Heqja dorë nga pjesëmarrja në Samitin e BERZh-it, sipas njoftimi është bërë për shkak se Bosnjë-Hercegovina ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ky shtet ende e mban në fuqi regjimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatën e Presidencës thuhet se Bosnjë-Hercegovina po sillet në mënyrë tërësisht antieuropiane dhe më të vrazhdë se vetë Serbia.

Gjithashtu, aty thuhet se ‘Kosova nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush’.

“Është paradoksale një situatë e tillë, ku përkundër luftës së përgjakshme që ka ndodhur dhe pavarësisht që ende nuk kemi një marrëveshje për normalizim, lëvizja e lirë pa pasaporta dhe pa viza funksionon ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa në anën tjetër Bosnje Hercegovina vazhdon t’i diskriminojë qytetarët e Kosovës me regjim të vizave. Ne nuk mund të kuptojmë sesi Bosnje Hercegovina aplikon dhe sillet në këtë mënyrë tërësisht antievropiane dhe më të vrazhdë se vetë Serbia”, ka vazhduar mes tjerash njoftimi.