Ilustrim

Taksisti nga Prishtina rrëfen grabitjen nga të rinjtë në Gjakovë dhe telefonatën 'pa numër'

Një i dëmtuar në rastin e grabitjes nga dy të rinj në Gjakovë, tha sot në gjykatë se kishte marrë një telefonatë “si lloj kërcënimi” që të tërhiqet nga dëshmia për këtë rast.

“Tërhequ dhe mos dëshmo”, ishte porosia që Shefqet gashi tha se ka marrë nga një telefonatë pa numër.

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës sot ka vazhduar të mbahet shqyrtimi kryesor në rastin e grabitjes të ndodhur në janar të këtij viti.

Shefqet Gashi taksist nga Prishtina ka treguar sot para gjykatës përvojën e tij me dy të akuzuarit për grabitje të cilët, sipas prokurorisë, në qytetin e Gjakovës kishin grabitur dy taksistë, njëri nga Prishtina e tjetri nga Gjakova.

Sipas Prokurorisë, dy të rinj kishin udhëtuar me taksi nga Prishtina në Gjakovë dhe kur kishin arritur nuk i kishin paguar shërbimet taksistit Shefqet Gashi dhe nën kërcënimin e armës i kishin marrë edhe 25 euro. Më pas kishin hipur në taksinë e Fadil Toplanës, duke ia marrë edhe atij 30 euro, pa e paguar fare për shërbimet e kryera.

Gashi sot para gjykatës ka rrëfyer se ditën kritike në taksi kishin hipur dy të rinjtë njëri prej të cilëve tha se ishte i mitur ndërsa personin e dytë e identifikoi me njërin nga të akuzuarit.

“Personi tjetër që është këtu, i akuzuari Leotrim (Bajrami), nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim dhe as që kishte folur me të”, tha dëshmitari.

“Pasi që arritëm në Gjakovë, të dy kanë dalur nga vetura dhe këtu i mituri Q.N. me një revole të drejtuar më ka thënë të dal jashtë, mirëpo unë nga frika i kam dhënë veturës me dyer të hapura dhe rrugës kam parë një veturë të policisë dhe ju kam treguar rastin”, ka rrëfyer Gashi.

Leotrim Bajrami bashkë me të miturin Q.N, po akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të grabitjes.

Procedura penale ndaj të miturit Q.N. tashmë ka përfunduar, pasi që është gjykuar në një procedurë të veçantë për të miturit.

https://kallxo.com/gjakovari-rrefehet-per-grabitjen-e-taksisteve/

“Kam pasur një telefonatë pa numër, ku një person mashkull më ka thënë ‘tërhequ dhe mos dëshmo’ dhe për këtë arsye unë nuk kam ardhur në gjykatë për të dëshmuar dhe poashtu kam thënë që nuk më kanë marrur asnjë të hollë, e në fakt më kanë marrë 25 euro. Lidhur me telefonatën që kam pranuar nuk i kam treguar policisë dhe pas kësaj kam ndërruar numrin e telefonit”, deklaroi i dëmtuari Shefqet Gashi.

I dëmtuari Gashi, para kryetarit të trupit gjykues Nikollë Komani, tha se nuk dëshiron kompensim dëmi e as nuk kërkon t’i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Në gjykimi e djeshëm i mituri Q.N, ka thënë që kërcënimet janë kryer me një shkrepëse në formë të revoles.

Ndërsa dje i dëmtuari Toplana ka thënë se “Q.N i ishte drejtuar me këtë revole, duke i thënë që t’ia japë të gjitha paratë”.

“Pastaj i njëjti më ka marrë çantën ku ka pasur dokumenta dhe rreth 30 euro, dhe që të dy kanë ikur”, tha i dëmtuari, taksisti nga Gjakova.

Më pas gjykimi i sotëm vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarit, i cili dëshironte të mbrohej me deklarim.

“Unë në tërësi pajtohem me deklarimet e taksistit-të dëmtuarit Shefqet Gashi, sepse e gjithë ngjarja ka qenë ashtu. Sa i përket dëshmisë së Q.N. asgjë nuk është e vërtetë, ai gjithmonë ka pasur me vete ndonjë mjet të çuditshëm si ajo revolja e rreme. Poashtu unë kam tentuar të bisedoj me Q.N. mirëpo ai më ka thënë që të mos flas asgjë, që ta lë rehat dhe se bën çfarë të dojë vet”, deklaroi i pandehuri Leotrim Bajrami.

I pandehuri Bajrami, ende gjendet nën masën e arrestit shtëpiak.

Dy të rinjtë, sipas prokurorisë, kishin udhëtuar nga Prishtina në Gjakovë dhe kur kishin arritur nën kërcënimin e armës nuk i kishin paguar shërbimet taksistit Shefqet Gashi duke i marrë edhe 25 euro. Pak orë më vonë dy të rinjtë njëri prej të cilëve i mitur kishin hipur në taksinë e Fadil Toplanës të cilit poashtu i kishin marrë 30 Euro.

Me këto veprime dyshohet të kenë kryer veprën penale të grabitjes.

Gjykimi i radhës i cili do të përmbaj fjalën përfundimtare të palëve, u caktua për 7 shtator.