Foto: Kallxo.com

Sindikata e punëtorëve të PTK-së paralajmëron protestë

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të PTK-së, Lamih Balaj, bashkë me disa punëtorë ka mbajtur konferencë për media, ku kanë paralajmëruar një protestë më 24 qershor për shkak të gjendjes së krijuar në këtë kompani.

Sipas Balajt, me 30 korrik të këtij viti Telekomi do të lirohet nga kthetrat e krimit dhe korrupsionit, pasi përfundon kontrata me Z Mobile.

“Data 30 korrik është dita kur Telekomi do të largohet nga kthetrat e krimit dhe korrupsionit, apo do të lirohet nga kontrata me Z Mobile. Ne jemi të vendosur si punëtorë bashkërisht, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguajmë, që data 30 korrik 2019 do të jetë dita e fundit e Z Mobile si zhvatëse e Telekomit”, ka thënë Balaj.

Ai ka thënë se misioni i sindikatës është që ta ndalojnë çdo kontratë të dëmshme, duke filluar nga Z Mobile, që sipas tij, është “shkatërruesi më i madh i Telekomit”.

Balaj ka thënë se Z Mobile po tenton të fshihet nga drejtësia duke tentuar t’i shesë asetet e saj te një kompani tjetër.

“I bëjmë thirrje kompanisë Kujtesa si një kompani serioze në tregun e vendit, pa marrë parasysh indikacionet që ajo mund t’i ketë marrë për këtë, të mos e humbin kredibilitetin e tyre, sepse me 30 korrik në Telekomin e Kosovës përfundon çdo bashkëpunim me MVNO dhe nuk do të krijohet një Z Mobile e dytë në Telekom”, ka deklaruar Balaj.

Balaj gjithashtu e ka lavdëruar Komisionin Hetues Parlamentar, duke thënë se janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit, kryeparlamentarit, partive politike dhe deputetëve që ta përkrahin kauzën e punëtorëve të Telekomit.