Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Gjykata refuzoi propozimin e Telekomit për ekspertizë të re në rastin e përmbarimit milionësh me kompaninë Dardafon

Gjykata në Prishtinë me konkluzion ka refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë Dardafon. Bëhet fjalë për rastin ku Dardafon kishte dërguar në procedurë të përmbarimit Telekomin përreth mbi 26 milionë euro. Në emër të borxhit kryesor, kamatës ligjore, shpenzimeve kontestimore, dhe shpenzimeve përmbarimore. Në lidhje me marrëveshjen  për Shërbimet Mbështetëse të Operatorit Virtual të Rrjetit Mobil.

Rast i cili është në rivendosje pas vendimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte gjetur shkelje në gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë dhe kishte prishur vendimin e Supremes.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes, pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Marrëveshje e cila kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, kjo e fundit kishte vendosur në favor të “Dardafonit”.

Sipas Telekomit vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi veçse kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj Dardafonit.

E sipas këtyre të fundit janë pagur mbi 13 milionë euro më shumë.

Për këtë rast të përmbarimit ishte bërë një ekspertizë, të cilën e kishte përpiluar Remzi Ismajli.

I njëjti në ekspertizë ka përcaktuar se Telekomi ka mbetur pa i paguar Dardafonit edhe rreth 5,732,871.34 euro.

I njëjti tha se llogaritja e borxheve të Telekomit ka filluar nga paraqitja e urdhërit për përmbarim, pra nga propozimi për një urdhër të tillë dhe në bazë të marrëveshjes së arritur mes palëve të datës e datës 17.11.2020.

Ekspertiza sipas Ismajlit ishte përpiluar për katër ditë pune. Dhe se për këtë rast nuk ishte kontaktuar Telekomi pasi që kishte  informacione të mjaftueshme në përgjithësi, nga shkresat e lëndës.

Telekomi për këtë rast të përmbarimit nga gjykata ka kërkuar edhe vendosjen e masës së sigurisë ndaj propozimit për përmbarim të iniciuar nga Dardafon.

Për këtë propozim të “Telekomit” do të vendoset me vendim të veçantë.

Raportimet e KALLXO.com  – LINK