Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Telekomi njofton se Arbitrazhi ka vendosur për rastin me PayKos, kaq do paguajë secila palë

Telekomi i Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se më 27 dhjetor 2023, Qendra Zvicerane e Arbitrazhit ka marr vendim për rastin e Paykos LLC ku kjo e fundit do i paguajë Telekomit 1,4 milionë euro, derisa Telekomi detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850 mijë euro që lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015.

Në njoftim Telekomi thekson se po të pranonte imponimet e palës tjetër për të shmangur procedurën e Arbitrazhit, atëherë deri në fund të kontratës do të detyrohej të paguante rreth 4 milionë euro më tepër!

“Vendimi i Arbitrazhit përfshinë Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur. Vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me Paykos dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.

“Vendimi i Arbitrazhit gjithashtu paraqet një sukses me rëndësi të Telekomit të Kosovës në drejtim të zbatimit të ligjshëm dhe të drejtë të të gjitha raporteve kontraktuale, në përputhje me ligjet e aplikueshme, praktikat normale të industrisë dhe të biznesit. Si përfundim, Vendimi i Arbitrazhit e detyron Paykos t’i paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro”- thuhet tutje në njoftim.

Megjithatë, sipas Telekomit, janë dy aspekte me rëndësi në lidhje me këtë proces.

“E para, inicimi dhe zhvillimi i procedurës së arbitrazhit nuk ka qenë dëshirë dhe as vullnet i Telekomit të Kosovës. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës e ka trajtuar me mirëbesim Paykos LLC dhe në të gjitha fazat ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet normale të biznesit”- thuhet më tej në njoftim.

Përkundër kësaj, Telekomi potencon se ka qenë Paykos pala e cila ka insistuar në zhvillimin e arbitrazhit dhe ka inicuar një proces të dytë.

“Përkundër suksesit në procedurë të arbitrazhit, Telekomi i Kosovës njofton të gjithë publikun, kontraktorët dhe palët e ndryshme të interesit që nuk ka e as nuk do të ketë asnjë tendencë dëmtimi të asnjë pale, por jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie biznesi të drejta dhe korrekte me të gjithë kontraktorët dhe partnerët pa dallim”- bën të ditur më tej Telekomi.

Telekomi më tej shton se janë të vendosur që askënd të mos e lejojnë që të dëmtojë Telekomin e Kosovës, përmes kontratave të dëmshme, interpretimeve të njëanshme në dëm të Telekomit ose formave tjera jo të ligjshme dhe jashtë normave standarde të të bërit biznes.

“Këtë e sigurojmë duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore në mënyrë strikte, të drejtë dhe profesionale pa dallim, ndaj kujtdo qoftë që ka synime që të dëmtojë pronën publike”- thuhet në njoftim.

Në vitin 2021, PayKos e ka dërguar në Arbitrazh Ndërkombëtar vendimin e Telekomit për shkëputje të njëanshme të kontratës.

Kontrata për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala”, të nënshkruar mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”, shkoi edhe ne Polici e Prokurori në qershor 2020 kur Telekomi i Kosovës kishte dorëzuar për herë të parë një kallëzim penal.

Telekomi i Kosovës i kishte dërguar edhe një herë gjitha pretendimet e tyre në Policinë e Kosovës duke thënë se dëmi nga kjo kontratë mund të shkojë deri në 5.4 milionë euro.

Më shumë se dy vjet nga dorëzimi i kallëzimit penal, Prokuroria pa rezultate për kontratën Paykos – Telekom