Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Telekomi reagon për pushimin nga puna të përmbaruesit privat Ilir Mullhaxha

Telekomi i Kosovës e ka cilësuar si të duhur vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për pushimin nga puna të përmbaruesit privat, Ilir Mullhaxha.

Sipas Telekomit, Mullhaxha kishte bërë shkelje serioze disiplnore gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore.

“Pushimi nga detyra e Përmbaruesit Privat, z. Ilir Mulhaxha, pas gjetjes së shkeljeve serioze disiplinore gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore, është një veprim në drejtimin e duhur nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, që shpresojmë të kontribuojë në rritjen e përgjegjësisë ligjore dhe morale te Përmbaruesit Privat. Shpresojmë se ky është vetëm fillimi i vendosjes së drejtësisë në vend dhe se kjo do të vazhdojë edhe për rastet tjera abuzive. Gjithashtu shpresojmë se nga organet e drejtësisë do të ndërmerren hapat e domosdoshëm të hetimit dhe dënimit të kryerësve të këtyre veprimeve kundërligjore”- thuhet në reagim.

Sipas Telekomit, dëmi që është shkaktuar nga ushtrimi i i detyrës së përmbaruesit nga ana e Mulhaxhas, vlerësohet se kap shumën prej rreth 14 milionë euro.

“Vetëm në rastin e Telekomit, dëmi që është shkaktuar nga ushtrimi i papërgjegjshëm dhe i kundërligjshëm i detyrës së përmbaruesit nga ana e z. Mulhaxha, vlerësohet se kap shumën prej rreth 14 Milionë Euro, duke përmbaruar për interesa të veta apo të tjetërkujt, përtej detyrimeve nga dokumenti përmbarimor”- bëhet e ditur në komunikatë.

Telekomi thotë se të gjitha ankesat dhe kërkesat e parashtruara nga ta në procedurën përmbarimore të zhvilluar pranë zyrës se përmbaruesit privat, nuk kanë dhënë rezultate.

“Fatkeqësisht, të gjitha ankesat dhe kërkesat e parashtruara nga Telekomi në procedurën përmbarimore të zhvilluar pranë zyrës se përmbaruesit privat, nuk dhanë rezultate. Si rrjedhojë, z. Mulhaxha dhe interesat që ai përfaqësonte, fatkeqësisht gëzuan mbështetjen nga segmente të sistemit të drejtësisë dhe mbetën të pandëshkuara gati të gjitha abuzimet e kryera ne rastin e Telekomit”- thuhet në njoftim.

Vendimin për pushimin e Mulhaxhës, e ka njoftuar dje zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka thënë se ka nënshkruar vendimin për pushimin e këtij të parit nga detyra.

Mulhaxha ka thënë se është pushuar nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat përmes Facebook-ut të Sallahut.

Ai ka thënë se nuk e di cilat shkelje ligjore pretendohet se janë gjetur.

Ilir Mulhaxha është vëllai i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku.

Reagimi i plotë i Telekomit:

Komunikatë për media

Pushimi nga detyra e Përmbaruesit Privat, z. Ilir Mulhaxha, pas gjetjes së shkeljeve serioze disiplinore gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore, është një veprim në drejtimin e duhur nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, që shpresojmë të kontribuojë në rritjen e përgjegjësisë ligjore dhe morale te Përmbaruesit Privat. Shpresojmë se ky është vetëm fillimi i vendosjes së drejtësisë në vend dhe se kjo do të vazhdojë edhe për rastet tjera abuzive. Gjithashtu shpresojmë se nga organet e drejtësisë do të ndërmerren hapat e domosdoshëm të hetimit dhe dënimit të kryerësve të këtyre veprimeve kundërligjore.

Edhe në rastin përmbarimor, kundër Telekomit të Kosovës, në emër të interesave të “Dardafon.net”/ Z-Mobile janë konstatuar abuzime dhe shkelje të kësaj natyre, të kryera nga ana e z. Mulhaxha, që karakterizohen me tejkalim të autorizimeve, shkelje të dispozitave ligjore dhe me ngarkim të TK me shuma të paqena dhe të paarsyetuara të borxheve që janë përtej detyrimit të caktuar nga vendimi i arbitrazhit / dokumentit përmbarimor. Në rastin tonë, gjatë zhvillimit të procedurës përmbarimore, ku TK Sh.A ka qenë palë debitore, z. Mulhaxha krejtësisht në mënyrë të njëanshme, të papërgjegjshme dhe kundërligjore përfaqësonte dhe anonte kah interesat e kompanisë Dardafon.net dhe pronarëve të saj.

Vetëm në rastin e Telekomit, dëmi që është shkaktuar nga ushtrimi i papërgjegjshëm dhe i kundërligjshëm i detyrës së përmbaruesit nga ana e z. Mulhaxha, vlerësohet se kap shumën prej rreth 14 Milionë Euro, duke përmbaruar për interesa të veta apo të tjetërkujt, përtej detyrimeve nga dokumenti përmbarimor.

Fatkeqësisht, të gjitha ankesat dhe kërkesat e parashtruara nga Telekomi në procedurën përmbarimore të zhvilluar pranë zyrës se përmbaruesit privat, nuk dhanë rezultate. Si rrjedhojë, z. Mulhaxha dhe interesat që ai përfaqësonte, fatkeqësisht gëzuan mbështetjen nga segmente të sistemit të drejtësisë dhe mbetën të pandëshkuara gati të gjitha abuzimet e kryera ne rastin e Telekomit.

Masa e shqiptuar nga Komisioni disiplinor për shkarkimin e përmbaruesit privat z. Mulhaxha dhe Vendimi i marrë nga Ministria e Drejtësisë për pushimin nga detyra, shpresojmë se është vetëm hapi i parë në vënien e drejtësisë në vend dhe ky Vendim do të duhej veçanërisht të jetë vërejtje serioze për të gjithë përmbaruesit privat që nuk respektojnë ligjet dhe vihen në shërbim të jashtëligjshëm në anën e ndonjërës nga palët, dhe njëherit të jetë edhe rikujtim se detyrat në ushtrimin e veprimtarisë së vet duhet t’i kryejnë konform dispozitave ligjore.

Dënimi dhe rikthimi i parave të përmbaruara padrejtësisht dhe kundërligjshëm nga përmbaruesi privat është hapi tjetër i pritur nga të dëmtuarit, por edhe nga publiku, pasi që shumë nga këto para ishin publike, qoftë nga kompanitë apo buxheti i shtetit.

Në këtë drejtim, Telekomi i Kosovës Sh.A është duke shfrytëzuar dhe në vazhdimësi do të shfrytëzojë të gjitha rrugët dhe mjetet e mundshme juridike në dispozicion, që paratë e debituara / tërhequra padrejtësisht t’i kthehen Telekomit të Kosovës dhe përgjegjësit për këto abuzime dhe shkelje ligjore me kosto të larta financiare, të vihen para drejtësisë.

Ilir Mulhaxha reagon pas vendimit të Ministrisë për pushimin e tij nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat