Shpend Ahmeti Kërkon Hetime për Gypat e Ujësjellësit

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka folur për emisionin “Jeta në Kosovë”, lidhur me aferën e gypave të Ujësjellësit të Prishtinës.

Ahmeti ka thënë se Komuna e Prishtinës ka dhënë 5 milionë euro për bashkëfinancim të projektit të fabrikës së ujit në Shkabaj gjë që i jep të drejtën për të ngritur brengën për gypat të cilët po vendosen.

Këta gypa do ta furnizojnë Prishtinën dhe komunat përreth më ujë të pijes.

Kryetari Ahmeti tha për “Jeta në Kosovë” se ka kërkuar që të bëhet hetim nga një komision i pavarur dhe jo nga punë kryerësit që po i kryejnë punët e fabrikës për gypat me prejardhje kineze.

“Kam kërkuar edhe nga prokuroria që ti nis hetimet sepse një ditë para se unë ta ngrisja këtë çështje bordi i ujësjellësit e shkarkoj drejtorin  ekzekutiv, për keqpërdorime”, tha Ahmeti.

Ai shtoi më tej se komuna e Prishtinës nuk do të ndalet pa u siguruar që nuk ka rrezik potencial për qytetarët.

Sipas tij brenga kryesore është, se ne qoftë se janë gypat të standardit të lart, atëherë si ka mundësi që 330 gypa me gjatësi prej 2 metrave, janë të dëmtuara ende pa u vendosur.

“Dhe nuk po flasim për dëmtim të transportit që ka shkelë kamioni në një gropë, por po flasim për dëmtim prej korrozionit, prej vjetërsisë, dhe prej elementeve që mua më është thënë që janë elemente që më nuk përdoren në gypa të ujësjellësit”, ka thënë ai.

Ahmeti në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” ka deklaruar se  gypat të cilët janë marrë nga fabrikat në Kinë  është dashur të merren nga fabrikat në Kosovë, ose në Evropë.

“Në qoftë se është projekt me donatorë gjermanë të komunës së Prishtinës dhe të Qeverisë së Kosovës, atëherë pse është shku në këta gypa të cilët janë potencialisht me probleme që mund të na shkaktojnë probleme menjëherë, p.sh pse nuk është shku me gypa të Kosovës, kur jemi prodhues të gypave”, shtoi ai.

Lufta për Ujë