Aksident i mëhershëm komunikacioni - Foto: Arkiva/KALLXO

Shoferi i Dehur Godet Furgonin, 16 të Lënduar

Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksident komunikacioni, në të cilin lëndime trupore kanë pësuar 16 persona.

Sipas raportit të përditshëm të Policisë, aksidenti ka ndodhur dje rreth orës 16:40 në fshatin Rakosh të Istogut.

Policia thekson se aksidenti është shkaktuar nga shoferi i një veture, i cili po voziste nën ndikimin e alkoolit. Përveç kësaj, ai nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe e kishte goditur një furgon nga prapa.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar drejtuesi i furgonit dhe 15 pasagjerë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.