Gjykata vendos për të dyshuarin që goditi me veturë dy fëmijë në Pejë
30 ditë paraburgim ka vendosur Gjykata e Pejës për shoferin që dyshohet se goditi me veturë dy të mitur në Pejë, më 07.04.2024.
Këtë e konfirmoi për KALLXO.com prokurori i rastit, Dorian Juniku.
Prokurori Juniku ka shtuar për KALLXO.com se është konstatuar se shoferi ka qenë në gjendje të dehur.
“Ai tashmë do të ndiqet për dy vepra penale, shkaktim i aksidentit në gjendje të paaftë apo të dehur si dhe mo dhënia e ndihmës së parë pasi që i njëjti dyshohet se nuk ishte ndaluar pasi shkaktoi aksidentin e më pas tentoi të ikte e gjatë asaj periudhe kishte goditur edhe një motor në te cilin gjendeshin dy persona”- ka thënë prokurori.
Dy fëmijë janë goditur nga një veturë më 07.04.2024 teksa kanë qenë duke lëvizur në pjesën e trotuarit në Pejë.
Ata pësuan lëndime të rënda, përderisa njëri nga fëmijët ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kurse tjetri në Spitalin Rajonal të Pejës.
I dyshuari më pas u arrestua. Dyshohet i njëjti tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes ndërsa është penguar nga disa qytetarë dhe më pas është ndalur.
Përveç që dyshohet se aksidentoi fëmijët, KALLXO.com mëson se i njëjti gjatë kohës sa tentoi të iktë nga vendi i ngjarjes, kishte goditur edhe një motoçikletë në të cilën ishin dy persona.