Shkrimtari francez Mathias Enard nderohet me 'Çelësin e Qytetit' të Prishtinës

Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Aleancën Franceze të Prishtinës, në kuadër të veprimtarisë së tyre në fushën edukimit dhe librit, nesër e pasnesër, sjellin në Kosovë shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur nga Franca Mathias Enard.

Në kuadër të misionit të tij letrar në Kosovë, Enard, pesë nga veprat e të cilit tashmë janë përkthyer në gjuhën shqipe dhe botuar nga shtëpia botuese ‘’Buzuku’’, do të nderohet nga Komuna e Prishtinë me “Çelësin e Qytetit”.

Mathias Enard do të ketë një sërë takimesh me publikun kosovar gjatë ditës së nesërme në Aleancën Franceze, kurse të mërkurën përveç takimit me kryetarin e Komunës Shpend Ahmetin, ku do të nderohet me “Çelësin e Qytetit ”,  do të mbajë një ligjëratë në Departamentin e gjuhës dhe letërsisë frënge të UP-së, të titulluar  “Meqenëse ata janë qenie njerëzore”, kurse po të mërkurën nga ora 14:15 – 15:15 në Bibliotekën Kombëtare, shkrimtari francez do të ketë një takim të hapur me nxënësit e shkollave të mesme.

Shkrimtari francez do të qëndrojë në më 16 dhe 17 tetor në Prishtinë, në kuadër të një turi në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë si rezultat i një bashkëpunimit rajonal, në mes të ambasadave të Francës në Prishtinë, Tiranë e Shkup.

Enard është  specialist i gjuhëve dhe kulturave orientale  dhe ligjëron arabishten në qytetin e Barcelonës dhe të Berlinit.

Deri më tani është vlerësuar me çmime prestigjioze dhe veprat e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë.

Vlen të theksohet se në romanin e tij “Tregoju për betejat mbretërit dhe elefantët’’, ka për personazh kryesor një shqiptar, Mesihin nga Prishtina.