Përparim Rama ia dhuron 'Çelësin e Qytetit' ish-ministrit Mehaj

Përparim Rama, kryetari i Prishtinës ia ka dhuruar sot ‘Çelësin e Qytetit’, ish-ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj.

Ceremonia u mbajt në objektin e Komunës së Prishtinës.

Rama u shpreh se është “nder i madh” për të që t’ia jap këtë simbol Mehajt.

“Nder vërtetë i madh për mua t’i jap Çelësin e Qytetit mikut dhe ish Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. E falënderoj për shërbimin fantastik që ka dhënë për vendin. Bashkëpunëtor njëherë, miq përherë!” – ka shkruar kryetari Rama në rrjetin social “Facebook”.

“Çelësi i Qyteti” është bërë traditë e komunarëve kryeqytetas që t’u dhurohet personaliteteve të ndryshme.

Më 8 gusht, tashmë ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj bëri të ditur për dorëheqjen e tij nga drejtimi i kësaj ministrie.

Sipas tij, këtë vendim e mori për arsye familjare.

“Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”- ka shkruar ai.

Në vend të tij, ministër u emërua Ejup Maqedonci.