Shkrimtari çek Milan Kundera vdes në moshën 94-vjeçare

Shkrimtari çek Milan Kundera, autor i romanit të famshëm “Lehtësia e padurueshme e qenies”, vdiq në moshën 94-vjeçare.

“Fatkeqësisht, mund të konfirmoj se Kundera vdiq dje (e martë, 11 korrik) pas një sëmundjeje të gjatë”, tha Ana Mrazova, zëdhënëse e Bibliotekës “Milan Kundera” në vendlindjen e tij Bërno të Republikës Çeke.

Duke u larguar nga atdheu për në Francë në vitin 1975, pasi më parë u përjashtua nga Partia Komuniste Çekosllovake për “veprimtari antikomuniste”, Kundera kaloi 40 vjet duke jetuar në mërgim në Paris, pasi iu hoq shtetësia çeke në vitin 1979.

Aty ai shkroi veprat e tij më të famshme, si “Lehtësia e padurueshme e qenies”, dhe më vonë la pas gjuhën e tij amtare për të shkruar romane në gjuhën frënge, duke filluar me romanin “Ngadalësia” të vitit 1995 deri te romani i tij i fundit, “Festivali i Papërfillshmërisë” i vitit 2014.

I lindur më 1 prill të vitit 1929, Kundera studioi muzikë, përpara se të fillonte të shkruante, dhe më pas u bë pedagog i letërsisë botërore në akademinë e filmit të Pragës, në vitin 1952.

Një anëtar entuziast i Partisë Komuniste në rininë e tij, Kundera u përjashtua nga partia dy herë, një herë për shkak të “aktiviteteve antikomuniste” në vitin 1950 dhe përsëri në vitin 1970 gjatë shtypjes që pasoi Pranverën e Pragës të vitit 1968, ku ai ishte një nga zërat kryesorë, duke bërë thirrje publike për lirinë e fjalës dhe të drejta të barabarta për të gjithë.

Romani i tij i parë, “Shakaja” i vitit 1967, u frymëzua nga kjo periudhë dhe u bë libër shumë i suksesshëm.

Në një profil të vitit 1985 të shkruar nga shkrimtarja Olga Carlisle – i cili është ndër më të gjatët dhe më të detajuarit, dhe që shqyrton jetën e Kunderës në Paris – autori tha:

“Për mua, pakujdesia është një mëkat i madh. Jetojmë në një epokë kur jeta private po shkatërrohet. Policia e shkatërron atë në vendet komuniste, gazetarët e kërcënojnë atë në vendet demokratike dhe pak nga pak vetë njerëzit humbasin shijen për jetën private dhe ndjenjën për të”.

“Jeta kur njeriu nuk mund të fshihet nga sytë e të tjerëve – ky është ferri”, kishte thënë autori.

Kundera, në veprën e tij eksploroi qenien dhe tradhtinë për gjysmë shekulli në poezi, drama, ese dhe romane./REL