Vdes shkrimtari Adem Gashi

Ka vdekur sot shkrimtari Adem Gashi. Lajmi për vdekjen e shkrimtarit Gashi është dhënë nga familjarë të tij.

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do te kthehemi. Sot në mëngjes, baba ynë Adem Gashi ndërroi jetë”- ka shkruar në Facebook djali i shkrimtarit, Dardan Gashi.

Varrimi i Ademit Gashit bëhet sot (e martë) në ora 15:00 në fshatin Nekoc në Drenas.

Adem Gashi ka lindur në Nekoc të Drenasit më 1953. Ka studiuar për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar si mësimdhënës në vendlindje. Nga viti 1977 e deri në 1990 në Radiotelevizionin e Prishtinës e pas lufte në RTK. Ka qenë edhe drejtor i Zyrës për komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Gashi është autori i disa përmbledhjeve me poezi, libra me tregime e romane. Ai është autor edhe i një sërë teksteve të këngëve të kënduar nga këngëtarë të ndryshëm.

Për kontributin e tij në krijimtari është shpërblyer me një sërë çmimesh. Në viti 2022 Gashi ishte fitues i Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, i cili ndahet nga Ministria e Kulturës.