Burgu i Dubravës - Foto: Ilustrim

ShKK: Nuk Ka ‘Terrorizim’ në Burgun e Lipjanit

Përmes një komunikate, Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka shprehur shqetësimin e thellë për deklaratat dhe akuzat e pabaza të adresuara ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se nuk ka asnjë “terrorizim” apo sjellje të pahijshme të zyrtarëve korrektues ndaj të paraburgosurve”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas ShKK-së, të paraburgosurit nuk “po enden nëpër zyra të ndryshme” siç po pretendon Lëvizja Vetëvendosje, por po dërgohen për ekzaminime të rregullta si pjesë e procedurave të paraburgimit.

“Shërbimi Korrektues ka marrë masa shtesë mbikëqyrëse dhe të kujdesit ndaj të paraburgosurve. Kujdesi i shtuar i zyrtarëve korrektues, është në funksion të sigurisë së të paraburgosurve dhe asnjëherë nuk ka tendenca keqtrajtimi”, thuhet po ashtu në kumtesë.

Për hir të transparencës, Ministria e Drejtësisë i ka bërë thirrje Zyrës së Avokatit të Popullit dhe KMDLNJ-së që të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe të verifikojnë gjendjen e të paraburgosurve dhe sjelljet e zyrtarëve korrektues.

Reagimi i Shërbimit Korrektues ka ardhur pas një njoftimi të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilit aktivisti Atdhe Arifi, i burgosur padrejtësisht, po terrorizohet psiqikisht në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e burgut të Lipjanit.

“Familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, na tregoi që Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë: “Mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti!””, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.

VV ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit. “Burgjet e këtij regjimi nuk janë më ambiente të sigurta, të qeta e normale për të burgosurit, e veçanërisht për të burgosurit politikë. Lirimi i Atdhe Arifit e Egzon Halitit duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.