Shkëlzen Maliqi. Foto: Facebook

Shkëlzen Maliqi: Kosova t'u Japë Azil Shtetasve Turq të Përndjekur

Publicisti Shkëlzen Maliqi u ka dalë në mbrojtje punëtorëve të Kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, të cilët gjatë ditës së enjte janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Maliqi, në një postim në Facebook, ka thënë se aktiviteti i të arrestuarve në Kosovë ka qenë legal, ndërsa u shpreh kundër një deportimi eventual të tyre në Turqi.

“Shpresoj se dorëzimi i drejtorëve të shkollës ‘Mehmet Akif’ Turqisë është lajm i rrejshëm! Aktiviteti i tyre në Kosovë ka qenë legal në shkollat që janë regjistruar sipas ligjeve tona dhe nëse në Kosovë nuk kanë qenë nën hetime se janë duke zhvilluar veprimtari të rrezikshme për shtetin tonë, e as Turqia nuk ka dërguar dëshmi tjera të bindshme se ata janë ‘terrorista’ pos se janë ‘gylenista’, nuk ka pse të deportohen!”, ka shkruar Maliqi.

Madje Maliqi ka propozuar që autoritetet kosovare t’u ofrojnë azil punëtorëve të Kolegjit “Mehmet Akif”.

“Përkundrazi, duhet t’i ofrohet azili ose mundësia që të zgjedhin në cilin shtet duan të jetojnë. Nuk e paragjykoj aspak se kush janë dhe çfarë kanë bërë këta që po thuhet se do të deportohen, por duke e ditur se çfarë histerie regjimi i Erdoganit largoi nga puna dhe burgosi dhjetëra mija ‘gylenistë’ dyshoj se kjo është pjesë e ndjekjes së turpshme të shtrigave, një fushatë masive që po e mbron pushtetin dhe tiraninë e Erdoganit dhe jo aspak kontribut në luftën kundër terrorizimit”, ka shkruar Maliqi.

KALLXO.com  ka raportuar për arrestimin e pesë persona të nacionalitetit turk, punëtorë të kolegjit “Mehmet Akif”. Sipas informacioneve, 3 persona janë arrestuar në Gjakovë dhe dy të tjerë në Prizren.

http://kallxo.com/arrestohen-pese-zyrtare-te-kolegjit-mehmet-akif-ne-kosove/

KALLXO.com mëson se të arrestuarit janë punëtorë të kolegjit “Mehmet Akif” dhe dyshohet që arrestimi është për shkak se mund të jenë të kërkuar për t’u ekstraduar.

Kolegji “Mehmet Akif” konfirmoi se të arrestuar janë: Drejtori i përgjithshëm i Kolegjit “Mehmet Akif”, Mustafa Erden; zëvendës drejtori i përgjithshëm, Yusuf Karabina; drejtori i shkollës në Gjakovë, Karaman Demirez; Cihan Oskan dhe Hasan H. Gunakan.

http://kallxo.com/drejtori-flet-per-arrestimet-e-stafit-te-kolegjit-mehmet-akif-ne-kosove/