
Sherifi: Përfaqësimin e PAN në KQZ duhet ta zgjidhin kryetarët e partive
Bilall Sherifi, shef i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, ka thënë për KALLXO.com që do ta respektojnë vendimin e Kushtetueses e cila sot konstatoi se emërimi i anëtarëve të KQZ-së nga presidenti nuk bie ndesh me Kushtetutën.
“Në Kosovë kemi një traditë të moskontestimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe tradita do të vazhdojë, pa marrë parasysh se a pajtohemi apo jo me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pa marrë parasysh se a na bie mirë apo nuk na bie mirë. Ne nuk kemi asnjë koment tjetër pos që vendimet dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të paapelueshme dhe si të tilla duhet të zbatohen menjëherë, kësaj radhe i bie që PSD-ja nuk ka pasur të drejtë, në rregull jemi vazhdojmë më tutje”, tha Sherifi.
Ndërsa i pyetur se kush do të ketë përfaqësuesin e PAN në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sherifi ka thënë që këtë çështje do ta rregullojnë kryetarët e partive të koalicionit.
“Kjo është çështje e brendshme mes partnerëve të koalicionit PAN dhe këtë çështje duhet ta zgjidhin kryetarët dhe unë nuk mund të jap përgjigje sot”, tha ai duke mos dashur të komentojë nëse kanë presion nga AAK dhe PDK për të hequr dorë nga ulësja në KQZ.
https://kallxo.com/pas-nje-viti-vonese-presidenti-dekreton-anetaret-e-kqz-se/