Sherifi: Nisma ka rreth 150 vota mbi pragun 5%

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, ka folur përsëri për zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u mbajtën më 6 tetor.

Sherifi ka thënë se KQZ-ja i ka defektet e veta edhe në këto zgjedhje.

“KQZ-ja ka kohë që nuk shpallë rezultate preliminare nga organizimi i zgjedhjeve, cilado qofshin ato parlamentare apo lokale. Nga momenti kur numërohen votat në një klasë ato menjëherë barten në sistemin operativ të internetit në faqen e KQZ-së dhe në mënyrë të vazhdueshme barten në sistem online. Ky sistem ka treguar defektet e veta gjatë këtyre zgjedhjeve siç ka treguar defektet e veta edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara, por kësaj radhe defektet kanë qenë më të vogla në kuptimin e funksionimit të saj”, ka thënë fillimisht Sherifi për Klan Kosova.

Sherifi thotë se Nismës i janë vjedhur vota. Ai mori si shembull Drenasin, ku sipas tij i kishin pasur 49 vota, por fillimisht ishte pasqyruar vetëm një votë.

I pyetur se a do ta kalojnë pragun për të hyrë në Parlament, zyrtari i Nismës Socialdemokrate ka thënë se i kanë mbi 150 vota mbi pragun prej 5%.

“Nisma në të gjitha pjesët tjera të numërimit të votave ka pasur rritje të përqindjes. Tek votat e diasporës 6.9% ndërsa tek ato me kusht 5.55%. Me këto vota Nisma qëndron diku tek 5.017%”. Edhe me votat kriminale të Serbisë, Nisma ka rreth 150 vota mbi pragun 5%”, theksoi ai.