PAN mbyll koalicionin pa u marrë vesh për KQZ-në

Dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të premten e 19 korrikut, ka hapur diskutimet nëse presidenti i Kosovës do të thërrasë partitë politike në konsultim për të vendosur datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, apo do të mandatojë për kryeministër një përfaqësues të koalicionit qeverisës.

Megjithëkëtë, mundësia e shkuarjes së vendit në zgjedhje, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) do ta gjente pa përfaqësues të partive që morën shumicën në Kuvendin e Kosovës, më 2017.

Kjo pasi që koalicioni që qeverisi vendin deri më tani, PDK-AAK-Nisma, i njohur si PAN, nuk  e pati dërguar asnjë përfaqësues në KQZ, për shkak të pakënaqësive me numrin e anëtarëve në këtë institucion.

KQZ ishte e bllokuar një vit të tërë, përderisa më 28 mars të këtij viti, presidenti Thaçi emëroi tetë anëtarët e rinj të këtij institucioni, posaçërisht pas presionit të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.

Në listën e tetë anëtarëve janë të emëruar dy përfaqësues të LDK-së dhe dy Lëvizjes Vetëvendosje (VV), edhe pse pikërisht për këtë çështje presidenti Thaçi në fillim kishte pasur “dilema”, të cilat e kishin shtyrë t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

Por, partitë në pushtet, nuk patën pranuar që të kenë vetëm dy anëtarë dhe kanë kërkuar nga presidenti që në KQZ të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion.

Kjo kishte bërë që tri grupet parlamentare, ai i AAK-së, Nismës dhe PSD-së mbështetur edhe nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

‘Lëmshi’ me të cilin u përball KQZ-ja

Nga 27 marsi i vitit 2018, deri më 28 mars 2019, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ishte pa mandat dhe rrjedhimisht jofunksional, pasi nuk ishte bërë emërimi i anëtarëve të rinj të këtij institucioni nga ana e presidentit të Republikës së Kosovës.

Kryetari i shtetit, Hashim Thaçi, duke e arsyetuar mosemërimin e anëtarëve, më 7 qershor të vitit të kaluar, pati kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, se nga sa përfaqësues u takojnë grupeve parlamentare, për tu bërë pjesë e këtij mekanizmi.

Por vendimi i Kushtetuese nuk ia zgjidhi dot ‘dilemën’ Thaçit.

Pas disa muajsh shqyrtimi të kërkesës, Kushtetuesja në dhjetor të 2018-ës pati vendosur që kërkesën e presidentit ta vlerësojë si “të papranueshme”.

Mëdyshja e Thaçit ishte nëse anëtarët e KQZ-së duhet të emërohen nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës apo nga grupet parlamentare që janë krijuar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Por Kushtetuesja e dha fjalën e saj të fundit.

“Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe që janë saktësuar më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës. Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata  përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Pas këtij interpretimi, presidenti Thaçi përmes një letre drejtuar grupeve parlamentare kishte kërkuar nga ta që ta dërgojmë emrat  me vetëm nga një kandidat për anëtarë të KQZ-së. Kështu të paktën për pranimin e asaj letre kanë njoftuar disa subjekte polikë në vend.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje patën konfirmuar se atyre iu është kërkuar të dërgohet vetëm një anëtar, e që sipas tyre në bazë Kushtetutës u takojnë dy përfaqësues në KQZ.

Po ashtu, opozita po pretendonte se kjo gjë po bëhej me qëllim që të shpërblehen partitë që janë ishin bërë pjesë e ekipit negociator në dialogun me Serbinë, ekip ky që javë më parë është shpallur i antikushtetues.

Por kur pozitës iu kërkua të dërgojnë vetëm dy emra në KQZ, të njëjtit e bojkotuan procesin.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, subjektet politike duan zgjedhje

Menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të premten, partitë politike opozitare dhe ato në pushtet kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ndonëse shprehën keqardhje që Haradinaj ofroi dorëheqjen e tij për shkak të thirrjes për intervistim në cilësinë e të dyshuarit nga ana e Gjykatës Speciale, LDK-ja dhe VV-ja i bënë thirrje presidentit Hashim Thaçi ta caktojë datën e zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që Presidenti i vendit të shpall datën e zgjedhjeve të reja.

Në ditën e dorëheqjes së Hardinajt, Isa Mustafa mblodhi Kryesinë e LDK-së, ku më pas para gazetarëve shpalosi kërkesën e tij ndaj presidentit Thaçi për zgjedhje të reja.

“Kryesia vlerëson se pas dorëheqjes së Kryeministrit, LDK kërkon nga Presidenti që të nis  datën e zgjedhjeve”, tha Mustafa, duke shtuar se subjekti i tij politik nuk pranon asnjë zgjidhje tjetër pos zgjedhjeve.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti dorëheqjen e Haradinajt e cilësoi si të vonuar dhe me arsye të gabuar.

Ndërkaq, një ditë më pas Kurti në një konferencë për media, kërkoi nga presidenti Thaçi që ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“Presidenti Thaçi duhet të na thërras për ta caktuar datën e zgjedhjeve, kaq! I bëj thirrjeve të mos e zvarris procesin për zgjedhje të lira. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re, dhe këtë duhet ta vendosin qytetarët”, u shpreh i pari i VV-së.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, i cili e quante veten “lider të koalicionit PAN”.

Veseli i cili gjendej në Amerikë kur Haradinaj dha dorëheqjen, në një konferencë për media në Prishtinë të shtunën, vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

“Zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK-ja është e gatshme për zgjedhjet kurdo që caktohen ato. Ajo që duhet të diskutohet tani është vetëm koha kur duhet të mbahen zgjedhjet”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, ka thënë se Kosova nuk do të ketë qeveri teknike dhe se sipas tij zgjedhjet janë të domosdoshme.

“Nuk ka arsye për qeveri teknike. Ne aspektin demokratik të legjitimitetit, zgjedhjet janë të domosdoshme. Edhe për legjitimitet edhe për ndryshim”, kishte shkruar Ahmeti në Twitter.

Në anën tjetër, neni 95, pika 5 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton hapat që duhet të ndiqen pas dorëheqjes së kryeministrit.

“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në aktin më të lartë juridik të vendit.

Presidenti i Kosovës, gjithashtu ka kompetencë që të shpall zgjedhjet e reja për Kuvendin e Kosovës.

“Shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij”, thuhet në pikën 3 të nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.