Sherifi: Koalicioni i Nismës Socialdemokrate ka arritur të bëhet pjesë e parlamentit

Anëtari i Nismës Socialdemokrate dhe deputeti i legjislaturës së fundit, Bilall Sherifi ka thënë se pas rinumërimit të kutive, votave të diasporës, votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, koalicioni i Nismës Socialdemokrate ka arritur të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës me 5.017%.

Sherifi ka theksuar se në total koalicioni Nisma Socialdemorate-AKR ka marrë rreth 42 mijë vota.

“Nga totali i votave të diasporës pre 13,195 vota, Nisma Socialdemokrate ka marrë 915 ose 6.95%, nga totali i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta prej 25,461 vota, Nisma Socialdemokrate ka marrë 1401 vota ose 5.55%. Nëse kemi parasysh votat e diasporës, votat me kusht dhe personave me nevoja të veçanta dhe kutive të rinumëruara, në total nga votat e rregullta dhe të vlefshme, koalicioni ka rezultatin 5.017% dhe ka rritur të bëhet pjesë e parlamentit”, ka thënë Sherifi në një konferencë për shtyp.

Koalicioni Nisma Socialdemokrate kishte parashtruar ankesë në PZAP për mos numërim të votave serbe. Por PZAP e kishte refuzuar këtë ankesë.

Sherifi ka thënë se se nuk do të ndalen derisa e drejta të fitojë dhe se do të insistojnë që këto vota serbe të mos trajtohen nga KQZ.

“Kemi parasysh që votat e kontrabanduara në postën numër 6, dhe të dërguara në QNR pa asnjë raport të Prokurorisë, pa vendim të KQZ-së, sërish Nisma është mbi 5%. Insistojmë që këto vota që janë mbushur në mënyrë të kriminale, kanë ardhur në Kosovë në mënyrë kriminale, në asnjë mënyrë, këto zarfe të mos trajtohen nga KQZ”, tha Sherifi.

Ai ka përmendur edhe ankesën që e kanë parashtruar në PZAP për këto vota por ka thënë që do të presin për shpalljen e rezultateve dhe do të dorëzojnë prapë ankesë duke u bazuar në sugjerimin e PZAP-së.

“Ne kemi ushtruar një ankesë në PZAP për këtë çështje, PZAP kanë marrë një vendim ku na sugjeron që ankesa për këtë çështje është e hershme. Ne kemi vendosur që t’i zbatojmë rregullat sipas PZAP për ushtrim të ankesës pas shpalljes së rezultateve”, ka thënë Sherifi.

Presim që duke parë trendët e Nismës, votat me kusht, kutitë e rinumëruara, votat e diasporës kemi arsye që të kërkojmë rinumërimin e të gjitha kutive.

Sherifi ka theksuar se për dallim nga votat që kanë ardhur nga Serbia, votat e diasporës janë të ligjshme përpos që kanë arritur me vonesë në Kosovë.

“Votat e diasporës e kanë vetëm këtë problem, kanë arritur me vonesë. Në aspektin e ligjshmërisë asnjë telashe tjetër nuk e kanë. Për dallim nga votat e Serbisë, që janë në kundërshtim të plotë me ligjin, kemi të bëjmë vota me një dorë, të së njëjtës parti, pra është votim kolektiv”, ka shtuar Sherifi.

Bilall Sherifi ka ftuar Prokurorinë që të hapin rast hetimi për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në fabrikimin e këtyre votave të ardhura nga Serbi dhe partitë politike që janë anëtarë të KQZ-së që të mos heshtin.